Dy përballje me Poloninë në të njëjtën ditë, përcaktohen kundërshtarët e muajit mars për Shqipërinë U21

Janë konfirmuar kundërshtarët e Shqipërisë U21 në muajin mars. Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi do të përballet me Poloninë U21 dhe Azerbajxhanin U 21 në muajin e ardhshëm. Lajmi është përcjellë nga vetë FSHF-ja, që konfirmon edhe datat në të cilat do të zhvillohen këto takime.

Kështu Shpresat kuqezi do të ndeshen fillimisht me bashkëmoshatarët e Azerbajxhanit në 23 mars, ndërsa në 27 mars do të përballen me Poloninë U21. Interesant është fakti se po në të njëjtën datë, do të luhet edhe përballja e Kombëtareve A të Shqipërisë dhe Polonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2024./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë i FSHF-së:

Ekipi Kombëtar U-21 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin mars. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se janë konfirmuar tashmë dy kundërshtarët e radhës me të cilët do të përballen kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi më 23 dhe 27 mars.

Miqësorja e parë e Shqipërisë U-21 do të jetë kundër Azerbajxhanit më 23 mars, ndërsa miqësorja tjetër do të jetë ajo kundër Polonisë, më 27 mars. Të dyja këto takime miqësore do të zhvillohen në Antalia të Turqisë, ku kuqezinjtë do të grumbullohen që në datën 21 mars dhe do të qëndrojnë 7 ditë.

Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi do të ketë kështu mundësinë të provojë grupin që ka aktualisht në dispozicion, por edhe futbollistë të rinj që vijnë nga ekipet zinxhir të moshave e që mund të bëhen në vijim pjesë e Shqipërisë U-21 në kualifikueset e Europianit të ardhshëm. Duke qenë se këto janë data zyrtare të FIFA-s, shumë ekipe kombëtare do të grumbullohen në Turqi dhe do të shfrytëzojnë këto ditë për të matur forcat me njëra-tjetrën.

Eliminatoret e Kampionatit Europian për Kombëtaren U-21 do të nisin në muajin shtator, ndërkohë që ekipi i drejtuar nga Alban Bushi do të nisë përgatitjet që prej muajit mars me këto dy miqësore tashmë të zyrtarizuara si dhe dy ndeshje të tjera miqësore në muajin qershor të cilat do të konfirmohen në javët në vazhdim. Këto përgatitje deri në nisjen e kualifikueseve zyrtare do t’i shërbejnë kuqezinjve në misionin kualifikues për Europianin 2025 ku Shqipëria U-21 është shortuar në Grupin E së bashku me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *