Dy ndeshje në tre ditë! Arsyeja pse trajneri i Everton ndryshoi vendimin, Armando Brojës i vjen shansi i artë në dorë

Armando Broja mund të cilësohet deri tani si një futbollist i pafat, ndoshta një nga lojtarët shqiptarë më të pafat. Pas një nisje karriere që e dërgoi në qiellin e shtatë, Broja duhet të përballej me dëmtime të rënda.

Jo vetëm kaq, por edhe në kohën kur shkoi te Fulham ndodhi një çmenduri. Muniz, sulmuesi që Fulham kishte, nuk po realizonte dot asnjë gol për ekipin e tij. Pas ardhjes së Brojës që do të kishte vend titullari, Muniz shpërtheu me gola në çdo ndeshje te Fulhami si të ishte Ronaldo fenomeni.

Ndërkohë në këtë sezon pa Brojën, Muniz nuk po arrin të shënojë dot gol. Për këtë arsye tifozët e Fulham bëjnë shpesh batutë se Fulham duhet të transferojë Brojën vetëm për të trembur dhe ndezur Munizin, që tani është kthyer në lojtar stoli.

Broja është rikthyer nga dëmtimi i gjatë që kaloi dhe ka luajtur dy ndeshje me U-21 e Evertonit. Ky sulmues pritej që të debutonte me Evertonin kundër Man Utd. Por për shkak se Evertoni ka një ngarkesë të madhe kalendari, teksa do të luajë dy ndeshje në vetëm tre ditë, trajneri vendosi që të priste edhe pak për Brojën.

Të dyja ndeshjet janë në shtëpi, në datën 4 Broja do të luajë kundër Ëolves dhe në datën 7 kundër Liverpul. Një fat i madh që i vjen në dorë këtë herë shqiptarit pasi Evertoni nuk po gjen dot një sulmues goli dhe Broja po pritet si një “hero” shpëtimtar nga tifozët pavarësisht se statistikat e tij në kohët e fundit lënë shumë për të dëshiruar. /Sport Ekspres/