Kukësi viziton Egnatian, në një sfidë ku secila palë do të përgatitë fundjavën e kampionatit, por rrogozhinasit duan të befasojnë
Egnatia e ka një ditë festive sot pritjen e kampiones së Kategorisë Superiore të Kukësit. Pak rëndësi ka rezultati, paçka se dhe në këtë vështrim Egnatia nuk kërkon që 90 minutat e një ndeshje që sot ka përmasa historike, t’i kalojë me “naivitet”. “Ne, – u shpreh sekretari i Egnatias, Petrit Hazbiu,- kemi ardhur këtu falë punës dhe investimeve tona. Vijmë në Kategorinë e Parë si kampionë të Kategorisë së Dytë dhe do të luajmë me një kampione që sipas ‘hierarkisë’ është dy shkallë sipër nesh, por ky është një element që do të sfumohet nga atmosfera e mobilizimit dhe e entuziazmit që karakterizon si futbollistët, ashtu dhe sportdashësit tanë, që këtë ditë me të vërtetë kanë të drejtën e tyre ta konsiderojnë si mjaft të rëndësishme, duke parë në fushë dy ekipe kampione, ‘të vegjël e të mëdhenj’. Ne do ta presim me të gjithë respektet e duhura, por në fushë… le të flasë më mirë fusha”, u shpreh z.Habiu për “Sport Ekspres”, ndërkohë që shton se skuadra rrogozhinase do të dijë të luftojë denjësisht në çdo sfidë. “Momenti kërkon të japim më të mirën përballë Kukësit kampion dhe rezultati pozitiv sot, apo dhe kualifikimi dy javë më vonë në Kukës le t’i përkasë skuadrës që do të gabojë më pak”, përfundon Hazbiu.
Milinkoviç eksperimenton – Nëse Egnatia kërkon të festojë në ndeshjen me kampionët e Shqipërisë, Kukësi nuk është fort në qejf për festë. Fitorja ndaj Kamzës u arrit me vuajtje dhe në horizont është supersfida ndaj Partizanit. Kjo bën që trajneri Mlladen Milinkoviç të hedhë në fushë sot një ekip pa shumë titullarë, edhe pse kupa nuk nënvlerësohet, por duke pasur në dispozicion edhe ndeshjen e kthimit, presioni për sot është i vogël. Disa nga titullarët e fundjavës së shkuar, si Koliçi, Shameti, Hallaçi, Musolli, Shtubina e Bakaj, do të pushojnë, ndërsa një vend në formacion do të gjejnë lojtarë që kanë nevojë për minuta, si Frashëri, Idrizi, Peposhi, Ethemi, Koldashi e Alijev.