Trajneri i Flamurtarit do të ketë sërish mungesa të rëndësishme: Është një fotokopje e ndeshjes me Teutën, shpresoj ta kalojmë me sukses
Elton Nika
Pas humbjes Luftëtarin në Vlorë, Flamurtari kërkon të reagojë dhe të kthehet sa më shpejt te rezultati pozitiv në një ndeshje delikate si kjo e sotmja ndaj Vllaznisë në transfertë. Kundërshtari kërkon pikë për mbijetesën në Superiore, për t’u shkëputur nga vendet e fundit, por Flamurtari ka synimet e veta dhe nuk i falen dy gabime radhazi. Vlonjatët do të kenë mungesa të shumta edhe sot, për shkak kartonësh dhe dëmtimesh. Megjithatë, trajneri Shpëtim Duro ka besim te lojtarët që do të hedhë në fushë se do të dinë të marrin pikë.
– Duro, ndeshja e radhës me Vllazninë në transfertë. Sa mundësi ka skuadra juaj të reagojë, pas humbjes me Luftëtarin?
– Është takimi i radhës në kampionat, përballë një kundërshtari që nuk e shikoj aspak nga pozitat që ka në renditje. Vllazninë e vlerësoj maksimalisht për kontigjentin e lojtarëve cilësorë që ka në gjirin e vet. Këtë takim e kemi përgatitur me kujdesin maksimal, pasi duam të marrim një rezultat pozitiv, pas asaj humbjeje në shtëpi me Luftëtarin. Kemi mundësi të reagojmë.
– Një tjetër situatë e ndikuar nga mungesat te Flamurtari…
– Më vjen keq, sepse edhe në humbjen me Luftëtarin në Vlorë, kishim plot pesë mungesa. Kjo fazë e tretë, e nisur në mënyrë mjaft intensive, na ka sjellë shumë pezullime lojtarësh për shkak kartonësh, por edhe shumë dëmtime. Na ndodhi në ndeshjen me Luftëtarin, ndërsa tani kemi mungesa edhe për ndeshjen me Vllazninë në transfertë.
– Ndryshimet në formacion janë të pashmangshme. Çfarë zgjidhjesh keni menduar?
– Patjetër që do të kemi ndryshime në formacion. Mungojnë për kartonë lojtarë si Useini dhe Sidibe, të cilët janë mjaft të rëndësishëm për lojën tonë në mesfushë. Por kemi edhe lojtarë të dëmtuar që tashmë dihen. Por edhe Bicaj është në dyshim dhe gjendja e tij do të shihet deri para ndeshjes. Nëse do të jetë gati, do të luajë. Na duhet shumë për këtë sfidë mjaft të rëndësishme në kampionat. Pra, janë 6-7 mungesa në skuadër, por kam besim te të gjithë lojtarët dhe kontigjenti që kemi në dispozicion. Kushdo që do të jetë në fushë, do të japë maksimumin në këtë ndeshje.
– I prisni shpejt rikthimet në skuadër?
– Jemi në një moment kyç të kampionatit dhe duhet ndihma e të gjithë lojtarëve. E rëndësishme është që lojtarët e dëmtuar të rikthehen sa më shpejt, por edhe të pastrohemi nga kartonët. Jemi brenda objektivave, si në kampionat, ashtu edhe në kupë, ndaj dhe rikthimi i lojtarëve që na kanë munguar do të na ndihmojë shumë në këtë aspekt. E ritheksoj: Flamurtari është në objektivat e veta dhe do të kërkojmë të mbetemi në luftë për Europën, si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë.
– Një tjetër mungesë është portieri Nurkoviç…
– Po, Nurkoviç do të mungojë për rreth tre javë. Kam besimin maksimal te dy portierët e rinj, Sali dhe Qirko, ndaj edhe i kam mbajtur në skuadër. Ata janë mjaft ta talentuar dhe se kush do të luajë nga fillimi, do ta vendosim para ndeshjes. Kam besim te cilësitë e të dy lojtarëve.
– Një vlerësim për kundërshtarin e radhës?
– Them se jemi në të njëjtat pozita si në ndeshjen me Teutën. Edhe Teuta kërkonte rezultat pozitiv dhe ajo ndeshje u mbyll në barazim, por mund të fitonim. Në këto kushte jemi edhe për këtë përballje. Vllaznia kërkon fitoren për gjendjen në tabelë, por edhe ne kërkojmë fitoren. Rezultatin e vendos vetëm fusha e lojës.