Trajneri i Flamurtarit kërkon të largojë presionin për vendin e dytë dhe thekson se skuadra e tij është në gjendje ta mbyllë në treshen më të mirë
Elton Nika
Pak ditë pas barazimit në Durrës, Flamurtari luan në shtëpi ndaj Luftëtarit dhe ka mundësinë ti shkëputet sërish Kukësit, që u ndal dje nga Skënderbeu. Vlonjatët kërkojnë vetëm fitoren përballë një kundërshtari cilësor, që në këtë kampionat nuk e kanë mundur në dy ndeshjet e para. Sot Flamurtari ka disa mungesa për shkak kartonësh dhe dëmtimesh, por trajneri Shpëtim Duro ka theksuar se vetëm fitorja bën punë. Ai ka theksuar se Luftëtari meriton vlerësim maksimal, pasi luan një futboll të bukur.
– Duro, prisni Luftëtarin, që skuadër që luan mirë futboll. Si e parashikoni këtë ndeshje?
– Patjetër që është një Luftëtari ka një skuadër mjaft të mirë, ka kualitete dhe luan futboll shumë të mirë. Për këtë arsye ndeshja është e vështirë dhe duhet impenjim maksimal për të marrë 3 pikët. Na duhet të jemi mjaft të kujdesshëm në mbrojtje, por edhe shumë agresivë në lojën tonë sulmuese.
– Në pak ditë një tjetër ndeshje, çfarë mendimi keni për kalendarin e ngjeshur?
– Viti 2018 ka pasur intensitet të jashtëzakonshëm, me ndeshje të shumta. Në këtë kuadër mbetet edhe ndeshja me Luftëtarin, në atë intensitet. E vërtetë është që kalendari është i ngjeshur, por duhet ta përballojmë kështu si është.
– Keni probleme me mungesat në këtë takim. Si është gjendja e lojtarëve?
Do të mungojnë Alvesh dhe Musta, për shkak kartonësh, por kemi edhe mungesa të tjera për shkak dëmtimesh. Muarem ka pësuar një tjetër problem në stërvitje dhe do të mungojë, këtë radhë ndoshta rreth një muaj. Po ashtu, nuk janë ende të gatshëm për Flamurtarin në këtë ndeshje lojtarë si Zhufo dhe Tunkara. Është ndoshta takimi, ku kemi më shumë mungesa se çdo herë tjetër. Megjithatë, kemi lojtarë në organikë, lojtarë cilësorë, për ta përballuar me sukses çdo ndeshje.
– Muarem në fakt është gjithë kohës jashtë skuadrës…
– Kjo është një keqardhje për vetë lojtarin, për skuadrën dhe të gjithë ne. Një lojtar me cilësitë e tij, do t’i jepte diçka më shumë Flamurtarit, por fatkeqësisht nuk po arrin të jetë ende gati. Luajti në Korçë, por edhe atje nuk ishte në kondicionin e plotë fizik. Për këtë fakt më vjen keq, pasi është një lojtar me shumë cilësi. Shpresojmë të rikuperohet sa më shpejt për të qenë gati për skuadrën.
– Edhe Tunkara nuk është gati. Çfarë problemi ka për këtë lojtar?
Ka probleme fizike edhe ai. Nuk po arrijmë ende të shohim cilësitë e këtij lojtari, sepse vetëm pak minuta luajti ndaj Skënderbeut. Megjithatë, ka ende shumë ndeshje, është edhe Kupa e Shqipërisë dhe të shpresojmë që Tunkara, por dhe çdo lojtar tjetër, të jetë gati për pjesën e mbetur të sezonit.
– Përballë Luftëtarit, me kaq shumë mungesa, do tju kënaqte një pikë?
– Absolutisht jo, nuk jemi të kënaqur asnjëherë me barazimin. Ne luajmë në çdo takim për fitoren dhe këtë do të kërkojmë edhe ndaj Luftëtarit, pavarësisht se është një ndeshje mjaft delikate.
– Lufta për vendin e dytë po bëhet edhe më e ashpër, pasi Kukësi është afruar shumë. Si e mendoni këtë duel?
– Po, gara është e fortë, por më duhet të them se jemi të kënaqur me ecurinë e deritanishme dhe llogaritë bëhen në fund. Qëllimi është të jemi në një nga tre vendet e para, nuk ka rëndësi vendi i dytë apo i tretë. Pastaj, kemi edhe Kupën e Shqipërisë. Lufta për vendin e dytë është e fortë, por nuk jemi të fokusuar te ky fakt. Objektivi ynë janë Kupat e Europës.