Duro: Presioni mbi ne, duam vendin e tretë!

Trajneri i Flamurtarit vlerëson kundërshtarin dhe beson se skuadra e tij është e aftë të shkojë në Europë edhe me anë të kampionatit

Elton Nika

Flamurtari-Skënderbeu është kryendeshja e javës së 28-të të Superiores. Dy skuadrat ndeshen vetëm pak ditë pas përballjes së Kupës së Shqipërisë në Korçë, ku Flamurtari fitoi 0-1. Por sot do të jetë krejt ndryshe, siç e pohon edhe vetë trajneri i vlonjatëve Shpëtim Duro, i cili parashikon një ndeshje shumë të vështirë, duke pasur parasysh vlerat e kundërshtarit, por thekson se skuadra e tij do të zbresë në fushë me qëllimin e vetëm për fitore.
– Duro, përsëri ndaj Skënderbeut pak ditë pas Kupës së Shqipërisë, si e prisni këtë ndeshje kampionati?
– Nëse fituam në kupë të mërkurën, kjo ndeshje është krejt ndryshe. Kupa ka një specifikë ndryshe nga kampionati dhe është një ndeshje shumë e vështirë. Përballemi me një kundërshtar mjaft cilësor, që përtej problemit të dënimit në UEFA, është shumë i fortë në fushë. Ne shpresojmë për vendin e tretë në kampionat dhe luajmë për fitore.
– Fitorja e së mërkurës që shkoi ju ngre psikologjikisht, apo jo?
– Patjetër. Kemi marrë një fitore me mjaft vlera, duke ditur situatën ku ishim. Por do të thosha se më vjen shumë keq për humbjen me Kukësin, pasi në kampionat kemi zhvilluar një ndeshje më të mirë se ajo me Skënderbeun në kupë. Me Kukësin kemi luajtur për 80 minuta shumë më mirë se kundërshtari, por ndodhi më pas ajo që ndodhi.
– Mendoni se skuadra juaj e ka kaluar periudhën negative?
– Vinim pas një periudhe mjaft negative, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të punojmë shumë. Skënderbeu mendoj se vjen më i qetë, pasi thuajse e ka siguruar titullin kampion, kështu që presioni është mbi ne. Fitorja jonë e mundshme do të jetë me shumë rëndësi, pasi më pas edhe kalendari është në favorin tonë. Ndaj them se kjo ndeshje me Skënderbeun mbetet përcaktuese për ne.
– Mungesat ndërkohë vazhdojnë të shqetësojnë Flamurtarin
– Po, Bushiç do të mungojë tre-katër javë, ndërsa Zhufo ka nisur stërvitjen, por edhe për këtë ndeshje nuk do të jetë gati të luajë. Pas Skënderbeut mendoj se është gati.
– Formacioni fitues thuhet se nuk ndryshohet. Ju i qëndroi këtij parimi?
– Kjo është e vërtetë, por do të kemi ndonjë ndryshim të vogël referuar formacionit të ndeshjes së Korçës. Ndeshja e kampionatit është tjetër gjë, siç e thashë që në fillim, ndaj do të shohim për ndryshimet në formacion.
Luhet në një orar të favorshëm për sportdashësit. I prisni më të shumtë?
– Shpresoj të jenë sa më shumtë në numër. Ne përcollën një mesazh shumë të bukur dhe të rëndësishëm para ndeshjes së kupës. Tifozët janë pjesë mjaft e rëndësishme e skuadrës dhe ne u detyrohemi atyre. Kam parasysh ndeshjen e fundit në kampionat me Kukësin, por shpresoj të jenë sa më shumtë në stadium në këtë ndeshje.
– Europa mbetet objektiv i arritshëm nga kupa apo kampionati?
– Në Europë mund të shkojmë si nga kampionati, ashtu edhe nga kupa. Nuk bëjmë llogari. Vendi i tretë mbetet synim, por e kam thënë se do të firmosja pa hezitim të shkoja në Europë, duke fituar një trofe. Por edhe vendin e tretë e shoh të arritshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *