Duro: Partizani kundërshtar i vështirë, Europën do ta kapim

Trajneri Duro: Nuk flas për gjykimet, pasi jam i dorëzuar. Drejtuesit na kanë qëndruar afër dhe na kanë ndihmuar goxha

Luhet një përballje për Europën. Partizani-Flamurtari mund të cilësohet një ndeshje e tillë, me të dyja skuadrat që aktualisht kërkojnë padyshim  mes kampionatit vendin e dytë apo të tretë, pavarësisht se rivaliteti mbetet edhe lufta është e egër. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, pret një ndeshje të vështirë, por për të dalë nga situata delikate e krijuar javët e fundit, kërkon rezultat pozitiv përballë një Partizani që deri tani po bën mjaft mirë. Trajneri Duro thekson se pavarësisht ndikimeve të tjera, skuadra e çoi vetë situatën në këtë gjendje, pas rezultateve aspak të mira të javëve të fundit. Këtë gjë, numri një i stolit e deklaroi në një konferencë për shtyp ditën e djeshme.  

– Një barazim pak ditë më parë që ju zbret në vend të pestë…

– Natyrisht që ishte një ndeshje ku meritonim të fitonim me momentet e fundit. Por referuara asaj çfarë u pa dhe me episodet e krijuara mund të ndëshkoheshim edhe më keq. Ishte një barazim, ku jemi ndëshkuar nga episode, penalltia dhe goli i dytë, ndërsa kemi barazuar dhe meritonim të fitonim. Barazimi na ul në vend të pestë.

– Luani kundër Partizanit, a mund të konsiderohet një përballje për Europën?

– Është pikërisht kështu, një përballje që luhet për Europën, por ka ende ndeshje edhe pas kësaj. Partizani mbetet një kundërshtar shumë i vështirë dhe ndeshjet me këtë kundërshtar janë të tilla. Ne do të synojmë rezultat, pavarësisht se në javët e fundit kemi patur problemet tona. Veç mungesave dhe gjykimit, mendoj se edhe ne vetë e kemi çuar në këtë situatë, pasi ishim të shkëputur në pikë dhe javët e fundit kemi lënë pikë të rëndësishme në renditje.

– Nuk është më Starova, por Dalipi në stol…

– Nuk ka rëndësi ky fakt. Për mua ndeshjet me Partianin janë gjithmonë të veçanta. Me stafin, lojtarët dhe tifozët kam  marrëdhënie dhe respekt ashtu si dhe me trajnerin Dalipi. Ai është i ri dhe me plot pasion dhe padyshim që do të kërkojë më të mirën për skuadrën e vet. E vlerësoj dhe e kam mik, por në fushë do të kërkojmë gjithsecili për skuadrën e tij fitoren padyshim.

– Keni fituar dy herë në kampionat dhe i eliminuar në Kupë, a do të fitoni sërish?  

– Po ne kemi fituar përballë Partizanit në kampionat dhe i kemi eliminuar në kupë, por kjo nuk ka asnjë rëndësi dhe lidhje për ndeshjen e ditës së hënës (sot). Është një përballje krejtësisht tjetër dhe mjaft e vështirë. Unë e thashë se kundërshtari mbetet mjaft i vështirë, por ne kemi synimet tona. Ka ende ndeshje dhe mes kampionatit apo kupës së Shqipërisë do të arrijmë objektivin, pra Europën. Flamurtari e ka kontigjentin për këtë qëllim. Ndërsa dua të vlerësoje dhe drejtuesit dhe presidentin Idrizi që pavarësisht situatës na kanë qëndruar mjaft pranë dhe nuk kemi pasur asnjë presion gjatë gjithë këtyre javëve dhe kjo e ndihmon skuadrën.

– A do të ndikojnë mungesat?

– Ky është fakt tashmë për mungesat, ardhur nga kartonët apo dëmtimet. Sa i përket ndëshkimeve nga gjykimi apo vendimeve të tyre, realisht jam i dorëzuar të flas. Ndërsa mungesat duhet t’i pranojmë ashtu si janë. Besoj te grupi dhe lojtarët që kam në dispozicion për të gjitha ndeshjet ndaj kushdo që zbret në fushë jep maksimumin ashtu si edhe ndaj Partizanit këtë të hënë.

– A do të ketë ndryshime formacioni titullar?

– Dihet se do të ketë ndryshime. Bushiç është kthyer në stërvitje, por natyrisht që kemi të tjera mungesa. Gjithsesi do të shohim për formacionin titullar të ndeshjes me Partizanin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *