Trajneri i Flamurtarit e konsideron vazhdimësi të padrejtësive atë që u ndodhi me kurbinasit, ndërkohë që thekson se nuk beson të ketë një klan kundër tyre
Elton Nika
Flamurtari kërkon ringritjen. Vlonjatët po kalojnë një periudhë jo të mirë, teksa kanë humbur tre ndeshjet e fundit, gjë që nuk u kishte ndodhur këtë sezon. Kuqezinjtë do të përballen me Kamzën në shtëpi dhe synimi është të lihet mënjanë kriza. Fitorja mbetet objektiv i vetëm për vlonjatët, por problemet janë ende prezente. Gjithsesi trajneri Shpëtim Duro beson se ndaj Kamzës skuadra do të kthehet tek fitorja, duke kërkuar edhe mbështetjen e publikut. Tekniku kryeqytetas analizon skuadrën e tij si dhe thekson se nuk dëshiron ta besojë se ka një klan anti-Flamurtar dhe se ekipi i tij e ka forcën të ringrihet e të jetë ai i dy fazave të para të kampionati.
-Profesor, e nisim nga problemet. Flamurtari, sërish me mungesa. Ç’mund të na thoni?
Kjo është e vërtetë, do të kemi sërish mungesa për shkak kartonësh dhe dëmtimesh. Kjo është ndoshta periudha më e keqe që po kalojmë prej kur ka nisur kampionati. Mbi të gjitha këto tre javët e fundit, ku mungesat kanë qenë të shumta tek skuadra dhe kjo ka ndikuar. Dëmtimet dhe mungesat kanë ndikuar në performancën e skuadrës, ku jemi tashmë në këtë situatë aspak të mirë, me tre humbje radhazi. Tunkara, Muarem dhe Nurkoviç dihet që do të mungojnë, por kësaj liste i shtohet edhe Pollozhani për shkak kartonësh, si dhe Nedeljkoviç, i cili nuk është për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.
-Po për periudhën jo të mirë që po kalon skuadra, keni ndonjë koment?
Jemi në një periudhë të keqe, ku veç mungesave i shtohen edhe problemet e gjykimit. Kanë qenë prezente gjatë gjithë sezonit, por kemi ditur të qëndrojmë të fortë. Ndërsa tashmë i shtohen edhe mungesat, sidomos në dy ndeshjet e fundit. Atë me Vllazninë nuk e preka shumë, por kanë qenë i minimalisht dy penallti në favorin tonë, ndërsa gjykimi në Laç ishte një skandal i vërtetë, dihet skenari, pjesa e tretë e një skenari të nisur që në fazën e parë, vazhduar edhe në fazën e dytë dhe pastaj ndeshja tjetër. Këtu nuk dua të anashkaloj asgjë, pasi edhe ne kemi patur problemet tona, me gola të pësuar, por këto janë faktorë që kanë ndikuar.
-Çfarë i keni kërkuar skuadrës në këto momente për të sjellë ndryshimin?
Skuadër e fortë është ajo që di të ringrihet, të jetë një skuadër me karakter dhe si në dy fazat e para. Kemi një skuadër të mirë, me çuna me karakter dhe mjaft cilësorë, ndaj e rëndësishme mbetet që skuadra të ringrihet, nuk e meritojnë këtë situatë, por kjo ndodh në çdo skuadër që kalon një periudhë të vështirë gjatë një viti.
-Përballë Kamza, që gjithashtu kërkon Europën. Si e shikoni këtë përballje?
Një ndeshje e vështirë, ashtu si me të gjithë kundërshtarët. Kamza është një skuadër që ka në gjirin e vet lojtarë mjaft cilësorë, lojtarë me mjaft përvojë në kampionatin shqiptar. Me besimin maksimal dhe angazhimin e plotë, pavarësisht situatës që kemi kaluar, kam besim se do ta kalojmë me sukses, për të vijuar në rrugën drejt arritjes së objektivave për Europën nga kampionati dhe Kupa e Shqipërisë.
-Sa e rëndësishme mbetet mbështetja e tifozerisë në këtë moment?
Kjo është mjaft e rëndësishme. Tifozeria vlonjate gjatë gjithë kohës na ka mbështetur për atë çfarë ka dhënë skuadra. Dua t’i kërkoj ndjesë edhe në emër të skuadrës për këtë periudhë që po kalojmë. Padyshim në këtë periudhë mbështetja e tyre mbetet mjaft me rëndësi, ndaj së bashku të shohim përpara për të arritur atë objektiv, por edhe atë skuadër që dëshirojnë tifozët.
-Ju thatë se gjykimet kanë ndikuar, a keni frikë për ndeshjen e radhës dhe vazhdimësinë?
Gjykimi nuk ka qenë asnjëherë një ndihmë për ne, apo të ndikojë në arritjet e rezultateve pozitive të Flamurtarit. Edhe këtu në Vlorë nuk kemi pasur asnjëherë ndihmë. Nuk besoj, ose më saktë nuk dua ta besoj se ka ndonjë skenar anti-Flamurtar për të mos arritur objektivat. Unë besoj, ashtu si edhe grupi, se Flamurtari do rikthehet ai i dy fazave të para dhe do të arrijmë objektivat që kemi.