Shpëtim Duro e kishte të qartë që kundër Luftëtarit do të ishte shumë e vështirë, sepse nuk e ka mundur këtë rival as kur ishte në krizë, jo më tani që gjirokastritët fluturojnë. Megjithatë, për trajnerin e Flamurtarit do të ishte një ndeshje tjetër nëse kuqezinjtë do të ishin të plotë dhe do të luanin në kushte më komode.
“Humbja është pjesë e futbollit, e kisha parashikuar të vështirë këtë ndeshje, sepse Luftëtari luan shumë mirë jashtë fushe. Në pjesën e parë luajtëm më mirë, patëm disa mundësi dhe nëse shënonim ndryshonte gjithçka. Nc pjesën e dytë Luftëtari urrit në lojë, gjeti golin dhe e menaxhoi më mirë situatën. Hasëm shumë vështirësi, edhe për fakt të mungesave, ndryshimit të detyruar të pozicioneve, por edhe i ftohti i madh sidomos në pjesën e dytë, që e vështirësoi diçka.
Tani dy transferta rresht: “Objektiv nuk ndryshon, ne vazhdojmë punën, ashtu si deri tani, sepse kemi ditur të marrim pikë edhe jashtë fushe. Është një moment i vështirë, kemi lojtarë me dëmtime e pezullime. Edhe sot morën kartonë të verdhë Useini e Sidibe, lojtarë që mbajnë shumë peshë në mesfushë dhe do të mungojnë në ndeshjen e ardhshme.
Ndryshimet në mesfushë dhe mungesa e fantazisë aty? “Është normale që të ndihen mungesat, kishim lojtarë si Zhufo e Danilo Alvesh që krijojnë probleme. Pollozhani ka bërë shumë mirë në mbrojtje, por u detyrova ta spostoj përpara, duke aktivizuar edhe Zukën. Goli i Luftëtarit na i vështirësoi shumë punët dhe pastaj u bë e vështirë përmbysja”.
A pati nënvlerësim? “Nuk bëhet fjalë për nënvlerësim, aq më shumë që përballë kishim një kundërshtar shumë të rrezikshëm si Luftëtari. Janë ndeshje ku momente të veçantë vendosin fatet e takimit, pastaj dëmtimet, mungesat, era e fortë në pjesën e dytë, të gjitha u bënë bashkë që çuan te kjo humbje”.