Trajneri i Flamurtarit sqaron se Dejvi Bregu ka vendosur të qëndrojë te Luftëtari dhe në merkaton e dimrit do të shihen alternativa të tjera
Elton Nika
Flamurtari kërkon suksesin e radhës në kampionat përballë Laçit. Pas fitores me Vllazninë një javë më parë, vlonjatët luajnë sërish në shtëpi, ku sot kanë përballë Laçin e drejtuar nga trajneri Gentian Mezani, i cili në periudha të ndryshme ka drejtuar edhe Flamurtarin. Një takim mjaft i rëndësishëm dhe i vështirë, që trajneri Shpëtim Duro e vlerëson maksimalisht. Dje ai ka folur për këtë sfidë, por edhe për mungesat, rikthimet dhe merkaton, duke theksuar se Dejvi Bregu nuk do të bashkohet me Flamurtarin në merkaton e verës.
– Pas fitores me Vllazninë, tashmë në Vlorë vjen Laçi. Si e prisni këtë ndeshje?
– Është një tjetër ndeshje shumë e rëndësishme. Deri në fund të këtij viti kanë mbetur edhe dy ndeshje të tjera, me Laçin fillimisht dhe pastaj me Kamzën. Synimi ynë është që ta sa më mirë këtë vit, ku mendoj dhe besoj se të gjithë jemi të një mendimi se Flamurtari ka bërë mjaft në mirë. Përpara kemi Laçin, që duhet ta kalojmë me sukses, pastaj të mendojmë për Kamzën.
– Mungon kapiteni Bushiç. Sa ju prish punë kjo mungesë?
– Po, mungon Bushiç, i cili ka realizuar 6 gola deri tani në kampionat, por edhe në dy ndeshjet më përpara ai ka pasur probleme me dëmtimin. Natyrisht, mbetet një mungesë e rëndësishme për skuadrën tonë, pasi është pikë referimi për sulmin. Megjithatë, te Flamurtari lojtarët janë dhe kemi mjaft elementë cilësorë në përbërje. Do të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje, duke u besuar lojtarëve më në formë për momentin.
– Rikthehen ndërkohë Useini dhe Zhufo…
– Këta dy lojtarë munguan ndaj Vllaznisë për shkak kartonësh dhe rikthehen me Laçin. Dy lojtarë të rëndësishëm për skuadrën. Në mungesë të tyre ne bëmë zgjedhjet tona me Vllazninë dhe fituam. Gjithsesi, janë dy rikthime shumë të rëndësishme për lojën e skuadrës.
– Çfarë mendimi keni për Laçin, që deri tani po bën mjaft mirë?
– Po, është një skuadër që vetëm në dy javët e fundit ka arritur dy fitore dhe është shumë e rrezikshme. Vlerësim maksimal për Laçin, ashtu si ndaj çdo kundërshtari tjetër në këtë kampionat. Laçi vjen në Vlorë pa presion, duke kërkuar rezultatin, ndaj do të përpiqemi të bëjmë më të mirën në fushë. Mendojmë vetëm fitoren, si në çdo ndeshje.
– Nedeljkoviç dhe Muarem janë dy afrimet e para. Priten të tjera afrime?
– Do të shohim në janar, por për momentin dua të mendoj për Laçin. Dy afrimet janë lojtarë mjaft cilësorë, që do të na japin zgjidhje në lojën tonë. Por merkaton ka ende kohë për të folur.
– Dejvi Bregu është një emër i përfolur si përforcim. Çfarë po ndodh me të?
– Lojtari ka vendosur të respektojë kontratën në Gjirokastër. Ne kemi bërë përpjekjet maksimale, si unë, ashtu edhe presidenti Idrizi. Kishim një marrëveshje me klubin e Luftëtarit dhe pak ditë më parë kisha një takim me Bregun, i cili nuk kishte shumë dëshirë të rikthehej te Flamurtari. Më tha se donte të respektonte kontratën te Luftëtari, kështu që mund të quhet e mbyllur kjo temë. Lojtari nuk vjen në Vlorë. Nuk mund të pres përfundimisht. Përpjekjet tona ishin maksimale, por tani duhet të shohim zgjedhje të tjera në merkaton e janarit.