Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, nuk e fsheh kënaqësinë për fitoren në Lushnje, duke e pranuar se ishte shumë e vuajtur, por sërish këmbëngul se kalendari nuk ishte normal për skuadrën e tij.
“Janë ndeshje shumë të vështira, e kam thënë gjatë gjithë ditëve të fundit. Ato ndeshje që duken më të lehta, ato janë më të ndërlikuara. Ne kemi dy ditë që kemi luajtur dhe skuadra nuk ishte mirë fizikisht. Skuadra ishte e lodhur, Bushiç u dëmtua dhe nuk po shënonim. Nëse goli del shpejt, bëhet gjithçka e lehtë. Humbëm disa raste në pjesën e parë, u dëmtua edhe Bushiç, ndërsa në pjesën e dytë lodhja po ndihej. Sefa mund të shënonte, por ishim në kontroll gjithë kohën, ishim superiorë dhe na mungonte vetëm goli. Fitore e rëndësishme, na duheshin shumë këto pikë.
Ndërrimet gjatë ndeshjes – Dalja e Bushiçit na prishi shumë punë, Hoxhaj e nisi nga stoli sepse nuk ishte mirë fizikisht, kishte një dëmtim nga ndeshja e fundit. Kaluam me Alvesh në qendër, por lodhja e ndeshjes kundër Skënderbeut u ndie shumë.
Bushiç – Është pika kryesore në sulm, e kam thënë gjithnjë. Bushiç është sulmues qendre, Alvesh luan pas tij ose në krah, ndaj në skuadër nuk kemi një sulmues tjetër si Bushiç. Unë jam ankuar këto ditë për kalendarin sepse nuk është normale që një skuadër të qëndrojë pushim për 15 ditë dhe një tjetër të pushojë vetëm 2 ditë. Për mua është skandaloze, duket pse lojtarët pësojnë dëmtime.
Atmosfera – Nuk e prisja të lehtë ndeshjen, nuk është çështje motivimi, sesa ngarkesa fizike e javës. E dija që do vuanim për të fituar, Lushnja nuk është ekip i lehtë, ka mundur edhe Teutën këtu, ka luajtur edhe ndeshje të tjera të mira.
Krahasimi me ekipet e tjera që ka ndëtuar Duro – “Besën e ndërtova me lojtarë të kampionatit tonë, nga Shehi, te Shkëmbi, Daniel Xhafa e të tjerë. Flamurtari i ngjan më shumë Partizanit që ndërtova unë, sepse afrova shumë lojtarë dhe shumica ishin të panjohur këtu, të ardhur nga Maqedonia, apo si Raçiç e të tjerë. Në fillim kishte kontestime, sepse nuk njiheshin, ashtu si më kontestuan në Vlorë kur ndryshova totalisht skuadrën, duke afruar lojtarë të panjohur, me përjashtim të Bicit, që është emër me eksperiencë në Superiore. Për këtë arsye, gjithë përgjegjësia ishte mbi mua, aq më shumë në një klub si Flamurtari që ka pasur vështirësi vitet e fundit. Kjo më kënaq më shumë, kjo është fitorja më e madhe, sepse kemi ndërtuar një skuadër të mirë, që po luan futboll dhe di të fitojë edhe në ndeshje të tilla, duke treguar pjekuri të madhe”.