Flamurtari mundet sërish, pëson 4 gola në Laç dhe tashmë mund të flitet hapur për krizë, por trajneri Shpëtim Duro nuk e fsheh dëshpërimin për arbitrimin e ndeshjes në Laç, edhe pse e pranon se skuadra kuqezi ka probleme. Goli i parë ishte një pozicion jashtë loje shumë i dyshimtë, goli i dytë i Laçit u shënua me një penallti absurde, ndaj në këtë aspekt Duro ka të drejtë të ankohet, sepse në Shqipëri mjafton edhe një gol i vetëm për të vendosur fatet e një takimi.
Ankesa – “Para se të flas për ndeshjen, dua të pyes nëse ka qenë i rregullt goli i parë dhe a ka pasur penallti kundër nesh. Rezultati u çua në 2-0 nga arbitri, nuk mund të bëj fare koment teknik, është shumë e vështirë të përmbysësh rezultatin në Laç.
Problemet – “Patjetër, kemi probleme edhe ne, jam shumë i shqetësuar me golat e tretë dhe të katërt, janë situata që do t’i diskutojmë, sepse skuadrat e mia gjithnjë kanë qenë shumë të kujdesshme në aspektin mbrojtës, ndërsa tani po pësojmë shumë gola. Nuk mohohet që ne kemi probleme, por është shumë e vështirë të reagosh në Laç kur e nis ndeshjen me 2 gola disavantazh.
Laçi – “Me Laçin është gjithnjë e njëjta histori: në Krujë gabime fatale kundër nesh, në Vlorë po ashtu, sot ishte ndeshja më skandaloze nga të gjitha, ndeshja u mbyll që në 20 minutat e para për faj të arbitrimit.
Paraqitja e portierëve të rinj – “Si e keni gjykuar paraqitjen e Qirkos në Shkodër? Unë në asnjë moment nuk e përmenda si shkaktar të humbjes. E ula në stol sepse kërkoja të aktivizoja Salin, i cili në Shkodër ishte i sëmurë dhe ka vetëm dy dt që është kthyer në stërvitje.