Është mbyllur sfida e mbrëmjes së sotme mes Tiranës dhe Teutës. As kampionët në fuqi nuk kanë arritur ti bëjnë dot ballë bardhebluve, të cilët kanë fituar me rezultatin 2-1. Goli i parë erdhi falë një goditjeje të mrekullueshme nga Enur Totre nga jashtë zone, duke nisur kështu festën e kryeqytetasve. Teuta shpërdoroi një rast të pastër me Gjorgjiev në pjesën e parë, ndërsa fraksioni i parë i lojës u mbyll mes ankthit dhe pritjes. Aribtri akordon një 11 metërsh në favor të Seferit, por më pas vendimi u ndryshua pas ndërhyrjes së VAR-it.
Ndërkohë në pjesën e dytë Tirana tund përsëri rrjetën e Teutës. Këtë herë autori i golit ishte pikërisht Taulant Seferi, i cili pas pasimit perfekt të Xhixhës e kishte të lehtë që në minutën e 67 të shtynte topin në rrjetë. Teuta nuk dorëzohet dhe provon deri në fund të ndryshojë fatin e takimit. Ildi Gruda arrin të shënojë në minutën e 83-të, por pa mundur t’i japë pikë kampionëve në fuqi. Bardheblutë marrin kështu fitoren e 9 në kampionat dhe vazhdojnë të mos e lëshojnë kreun e tableës. Tirana udhëheq tashmë me 30 pikë të grumbulluara, 3 më tepër se Kukësi i vendit të dytë. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Martini (Teuta): “Unë mendoj se që nga ndeshja e parë, kjo ka qenë më e mira e ekipit, pasi luajtëm shumë mirë, dukej që ishim ne kampionët në fuqi, por humbëm shumë raste dhe u detyruam të dalim pa pikë. Më vjen shumë keq që pas një jave ndërpritet kampionati, pasi skuadra ka ardhur në gjendje mjaft të mirë dhe do të doja të vijonim të tregonim veten në fushë. Besoj shumë te ky ekip. Është e vërtetë që kualiteti në sulm dhe para porte, na mungon, Kemi humbur shumë raste, madje edhe sot dhe në një ndeshje si kjo ndaj Tiranës, është e tepërt të humbësh 5 raste shënimi. Është për të ardhur keq, pasi qarkullojmë topin dhe luajmë mirë, por nuk arrijmë të finalizojmë.
Duhet ta rregullojmë këtë aspekt sa më shpejt. Pikët janë ato që janë dhe nuk mund t’i diskutojmë, por është ende herët për të thënë këtë që nuk jemi për titull. Kampionati është i vështirë edhe po të jesh shumë pranë kreut, jo më me këtë diferencë pikësh, por në këtë kampionat mjafton të bësh 4-5 fitore radhazi dhe rikuperon. Është një kampionat i vështirë, pasi edhe Tirana, Kukësi, Vllaznia e Laçi po bëjnë shumë mirë dhe do të provojnë ta fitojnë titullin deri në fund. Ne kemi një ndeshje për të luajtur dhe më pas do të provojmë të afrojmë ndonjë futbollist, pasi kemi piketuar 2-3 emra. E vështirë, por të shohim se deri ku do të arrijmë”.
Shehi (Tirana): “Ishte ndeshje mes dy rivalëve. Teuta edhe pse ka më pak pikë se vjet, është skuadër shumë e mirë. Ne ishim më efikasë, ndoshta në disa momente mund ta kishim zgjidhur më mirë, duke mos u dhënë mundësi kundërshtarëve të godisnin portën tonë. Na bën shumë mire kjo fitore, pas asaj luhatjeje në ndeshjen me Laçin. Kemi ndryshuar ndoshta me disa invidivë, por edhe me modul. Në këtë ndeshje, në modul, dhe menduam ta zgjidhnim ndeshjen në thellësi. Ngoo ka dhe një dëmtim në kavilje, menduam ta zgjidhnim në këtë mënyrë.
Nga jashtë, shihet ndryshe. Tri ndërrime ishin të detyruara. Xhixhën kisha frikë ta lija më gjatë, sepse vinte pas një dëmtimi. Lojtarët kërkuan ndërrimin, ishim të detyruar. Nuk i ruajta për Partizanin. Totre? I dimë cilësitë e tij, ka dy vite kontratë me ne. Nuk besoj se ndonjë klub të jetë aq i fuqishëm sa të prishim objektivat tona. Titulli? Është shumë e gjatë gara, as Teuta, as Partizani nuk mendoj se janë jashtë gare. Ngoo është pika jonë e referimit. Ndoshta ne po shohim vetëm Ngoo, por s’duhet t’ia faturojmë atij problemet”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/