Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka reaguar pas rezultateve pozitive të arritura nga Kombëtaret e moshave, U-19 dhe U-17, në ndeshjet e tyre respektive kualifikuese.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka vlerësuar maksimalisht paraqitjen e kuqezinjve të rinj. Duka cilësoi si një sukses të jashtëzakonshëm arritjen e Kombëtares U-19, e cila pas dy fitoreve bindëse me rezultatin e njëjtë 4-0 ndaj Qipros dhe Armenisë, ka siguruar vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën A për raundin e tretë të kualifikueseve.
Gjithashtu, presidenti i FSHF-së nuk ka lënë pa përgëzuar edhe Kombëtaren U-17, e cila arriti një fitore me përmbysje 3-1 ndaj Skocisë, duke mbetur kështu ende në garë për kryesimin e grupit.
Mesazhi i plotë i Presidentit Armand Duka:
“Urime Kombëtareve U-19 dhe U-17 për rezultatet e arritura! Një sukses i jashtëzakonshëm për Shqipërinë U-19, që me dy fitore bindëse 4-0 ndaj Qipros dhe Armenisë siguroi vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën A për raundin e tretë të kualifikueseve. Urime edhe Kombëtares U-17 për fitoren e merituar 3-1 ndaj Skocisë, pas një përmbysjeje fantastike. Një rezultat që e mban Shqipërinë në garë për vendin e parë në grup. Përgëzime futbollistëve, trajnerëve dhe gjithë stafit për punën, përkushtimin dhe këto emocione që po i dhuroni futbollit shqiptar. Vazhdoni kështu!”