Milani pësoi një gol në minutën e fundit, duke i bërë gjërat mjaft interesante në ndeshjen e kthimit ndaj ekipit serb. Rezultati 2-2 i jep mundësi Crvena Zvezdës të kualifikohet me një fitore minimale (1 gol diferencë). Kuqezinjtë ishin mjaft të mërzitur, pasi goli u pësua në kohën kur serbët ishin me 10 lojtarë. Në një prononcim për mediat, Sandro Tonali, i cili zëvendësoi Benaser u shpreh se janë mjaft të pakënaqur për këtë barazim, megjithatë vëmendja kryesore tashmë ngelet derbi mes Interit dhe Milanit të dielën.
“Duhej ta menaxhonim më mirë. Po fitonim disa minuta nga fundi dhe ishim me një më shumë. Na vjen keq, mund ta mbyllnim dhe ta menaxhonim më mirë pa humbur shanset vendimtare. Ne duhet të lëmë mënjanë zhgënjimin, duke e ditur se ky 2-2 është një rezultat që është i mirë për ne në funksion të ndeshjes kthyese. Le të mendojmë për 3 ditë para derbit. Do të mundohemi të japim 100%”.- u shpreh Tonali.
Kjo periudhë do të jetë mjaft e ngjeshur për “Djallin” që do të luajë në fundjavë ndaj Interit, ndërsa vetëm tre ditë më vonë do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Crvena Zvezdën, përsëri në Sansiro. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/