Të premten, Shqipëria do të udhëtojë në Alikante për t’u përballur me Spanjën, ndërsa përtej Oqeanit Atlantik, qindra kilometra larg, do të luhet një ndeshje ndeshje, ajo mes Argjentinës dhe Perusë. Një sfidë që, në ndryshim nga ajo në gadishullin iberik, ku kuqezinjtë e Panuçit luajnë për mrekullinë dhe “demat” për detyrën e radhës, ka në dorë fatin e skuadrës albiceleste për kualifikimin në Botërorin “Rusi 2018”. Sipas lajmit të fundit, që duket i bujshëm, Federata Argjentinase e Futbollit ka vendosur t’i dhurojë 6000 bileta ultrasve të Boka Juniorsit, me qëllimin e qartë që të krijojë një klimë ferri që të shtyjë skuadrën. Kanë mohuar hyrjen në stadium për familjet me fëmijë.
Duan që publiku të këndojë për dy orë duke transformuar stadiumin në një fushëbetejë. Sakaq, kombëtarja e Perusë do të prezantohet në Baires duke marrë me vete ujin dhe duke refuzuar që të konsumojë atë që do t’i shërbehet në fushë. Jo vetëm kaq, por në komunikatën e saj, federata peruane u shpreh: “Nëse federata Argjentinase ka vendosur që ndeshja deçizive të luhet në “Bombonera”, atëherë ka një motiv të qartë. Në atë stadium nuk dilet me fitore nëse nuk ke kujdes nga çdo gjë. Stadiumi i Bokës është i përbërë nga njerëz që kanë djallin në trup, që të bërtet në veshë për 95 minuta. Në dhomat e zhveshjes të ofrojnë ujë të kontaminuar, me substanca që të japin përgjumje”.
E ndërsa në Argjentinë, federata vepron në të mirë të vendit dhe futbollit të saj, në të mirë të popullit dhe për t’i dhënë kombëtares atë shtysë më shumë, FSHF, federata shqiptare e futbollit, në dy ndeshje kur duhej ndihma e popullit, e tifozëve, e ultrasve, i mbylli dyert, sepse biletat falas ndoshta nuk do t’i dhuronin as një ndonjë univers imagjinar… Shumë e rëndësishme të fitohet edhe nga një ndeshje rutinë, apo edhe kur luhet për një objektiv madhor.
Kujtojmë dy ndeshje me tension dhe që ultrasit u lanë jashtë. Në të dy rastet, dy poshtërime në fushë nga kundërshtari. Shqipëri-Serbi në Elbasan Arena (0-2) dhe Shqipëri-Izrael po në “Elbasan Arena” (0-3)… Policia dhe zyrtarët me kollare e VIP-at ishin ata që mbushën gjysmën e stadiumit. Por, siç duket, në Argjentinë, e mendojnë ndryshe futbollin, ndoshta për ata është ende sporti i pasionit, sakrificës dhe masave, jo ai i biznesit..