Trajneri i sportit të Xhudos, Driton Kuka ka ngritur në piedestal emrin e Shqipërisë dhe Kosovës, teksa ka fituar çmimin si trajneri më i mirë i vitit në botë. Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Xhudos, pas një votimi të hapur dhe transparent. Së fundmi, Driton Kuka ka folur në “Ora Sport” që transmetohet në “Ora News”. “Është e jashtëzakonshme. Ka qenë votim i hapur për disa ditë, rreth 12 ditë dhe populli shqiptar ka qenë shumë afër nesh, duke na ndihmuar. Medaljet olimpike që kemi arritur në këtë vit dhe ky rezultat i arritur, ishin kulmi ynë. Shqiptarët na kanë ndihmuar nga gjithë bota duke na votuar.
Unë si trajner jam motivuar dhe rritur shumë nga rezultatet e Kelmendit. Më pas kam eksploruar botën e trajnerëve të xhudos. Dëshira për rezultatet buron nga liria e popullit tonë. Majlinda më ka bërë si trajner, ndërsa Gjakova dhe Distria janë 100% pjesë e punës sime. Te Kelmendi kemi bërë shumë eksperimente, forma pune që unë i kam testuar. Ato talente që ka Shqipëria në xhudo, dëshiroj që shteti shqiptar t’i ndihmoj dhe t’i sjelli në Kosovë për t’u rritur më tepër”, tha Kuka. /Sport Ekspres/