Drita e Gjilanit është në Champions League, në turin e parë kualifikues, ashtu si Kukësi i Shqipërisë, ashtu si Shkëndija e Tetovës!
Sot kampionia e Kosovës arriti një fitore të madhe 4-1 në shtesa kundër Linkoln Red Imps. Një fitore e vuajtur, por nuk mund të ketë ndeshje të lehta për ekipet e Kosovës, që janë ende në hapat e para.
Në pjesën e parë Drita luajti mjaft mirë dhe e mbylli në avantazh 1-0. Që në minutën e dytë mbrojtësi Liridon Leci shënoi, duke qenë i saktë në zonë pas një krosi nga këndorja.
Më pas kampionët e Kosovës patën edhe disa raste të pastra, aq sa mund ta mbyllte ndeshjen që në pjesën e parë. Kundërsulmi i Dritës ka qenë perfekt deri te porta kundërshtare, por nuk ka bërë atë që duhej të bënte, të prodhonte golin e sigurisë.
Në pjesën e dytë Linkoln Red Imps e rriti presionin dhe gjeti barazimin, ndërsa më pas dominoi.
Gola nuk pati më dhe nisën shtesat, ndërkohë që Gërbeshi la Dritën me 10 lojtarë. U duk katastrofë, por në fund të shtesës së parë Endrit Krasniqi fitoi një penallti që e shënoi Liridon Leci, ndërsa edhe vendasit nga Gjibraltari mbetën me 10 lojtarë.
Në shtesën e dytë Drita pati hapësira pa fund, derisa pas shumë rastesh me portierin, erdhi goli i çlirimit dhe festës së madhe, Xhevdet Shabanin që gjeti golin, para se të merrte pjesë në banket edhe Haxhi Neziraj në fund.
Një fitore e madhe, në çdo drejtim, sepse triumi në Gjibraltar vlen kualifikimin në Champions, ku Drita do të ndeshet me suedezët e Malmos, por edhe në rast të eliminimit të pritshëm, janë edhe dy ndeshje në Europa League.
Në këtë mënyrë, Drita pas 230 mijë eurove për turin paraeliminator, arkëton 280 mijë euro për kualifikimin në Champions, siguron edhe 260 mijë euro të tjera për pjesëmarrjen në Europa League dhe nëse nuk kalon asnjë tur, merr edhe 260 mijë euro të tjera si ngushëllim meqë nuk kap grupet. Pra, 1,03 milionë euro të sigurta në horizont, një pasuri e paparë.