Menjëherë pas ndeshjes me Vllazninë, koordinatori i klubit lushnjar, Artur Çobani, ka dhënë një deklaratë për shtyp, duke hedhur akuza të forta për të gjithë. Përzgjedhja e lojtarëve, por edhe mbajtja në ekip e disa prej tyre është kritikuar nga Çobani, i cili ka fajësuar edhe trajnerin Dedja. “U vendosën 5000 euro premio për futbollistët, por nuk duan, që kur rrinë në ekip futbollistë 35-36 vjeçarë dhe Lushnja nuk tenton të marrë futbollistë që duan të luajnë futboll, me pak emër ose me aspak emër, por kanë që dëshirë. Lushnja nuk ka dëshirë të qëndrojë në Kategorinë Superiore dhe kërkon të zbrazë stadiumin, që të mos vijnë më njerëz. Kjo ndodh për të demonstruar në fushën e lojës atë që duan ata, atë që kanë ndërmend dhe qëllim ta bëjnë. Se kush janë, sigurisht që do të dalin, që nga trajneri dhe deri tek më i fundit. Unë nuk i kam marrë Lushnjës asgjë, asnjë rrogë, por ka shumë të tjerë që e shfrytëzojnë këtë për të përfituar personalisht. Do ta vazhdojnë turpin akoma me këtë qëndrim, pasi janë dy faza të plota për t’u luajtur. Kjo është gjendja e Lushnjës, që nuk ka një lojtar për në stol, sepse përzuri gjatë fazës përgatitore, sepse duhet të qëndronin lojtarë që nuk luajnë. Kështu nuk luhet futboll. Është një moment që njeriu duhet të largohet nga futbolli, pasi ekipi duhet të ketë gjendje futbollistësh. Nuk mund të rrijë skuadra me 10 futbollistë. Përgjegjësi sigurisht që ka dhe trajneri, i cili nuk diti të mbajë qëndrim për të afruar ata futbollistë që duan të vrapojnë në fushë. Futbolli kërkon të vraposh, kërkon t’i biesh topin. Futbolli nuk do të trashesh dhe të shëndoshesh. Duke qenë dhe në këtë gjendje, ndërhyjnë edhe faktorë të jashtëm. Sepse thonë, ‘meqë e kemi Lushnjën kështu, o burra, po e shesim. Po fitojmë dhe ndonjë lek’. Kjo është gjendja e Lushnjës dhe është turp. Më vjen shumë mirë për qëndrimin korrekt që mbajti publiku, sepse ai publik duhet të ishte hedhur kundër të gjithëve, pa përjashtim, që nga më i pari e deri tek më i fundit. Por ata do të largohen, pasi në Lushnjë nuk e kanë zakon t’i fyejnë njerëzit e tyre. Të gjithë jemi për t’u fyer nga ai publik. Por, ata do të zgjedhin rrugën e largimit, për t’i lënë terren të lirë njerëzve që merren me këto allishverishet e parave dhe të bëjnë si u do qejfi. Kjo do të jetë gjendja e Lushnjës në të ardhmen”, deklaroi Çobani.