Drejtoi Milanin vetëm 7 ndeshje, vëllai i Giampaolit ia vë fajin kuqezinjve: S’kanë profesionalizëm, atë ekip kishte

Milani nuk ka pasur qetësi kohët e fundit në pankinë, ku ka ndërruar shumë trajnerë. E madje edhe vendi i Piolit nuk duket i sigurt, megjithëse rezultatet e tij kanë pasur një rritje. Ndërkohë një prej trajnerëve që la postin e trajnerit në fillim të sezonit është edhe Marco Giampaoli, i cili drejtoi kuqezinjtë për për vetëm 7 ndeshje.

Milani i tij nuk bindi në fushë, por sipas vëllait të tij, një ish-futbollist e tashmë trajner, faji nuk është aspak i Giampaolit por i klubit. Federico Giampaoli shprehet se vëllai i tij e meritonte stolin e “djajve”, por nuk kishte profesionalizëm nga klubi. Kjo pasi këta të fundit nuk i plotësuan kushtet që ai kërkonte, ndërsa tregon se ishte pranë zonës së Europës.

“Marko shkoi me meritë te Milani, por nuk ishte një skuadër e bazuar në karakteristikat e tij. Shumë lojtarë që ai kërkoi nuk u morën, kështu që ai u përshtat me ekipin që kishte. Ishin shumë probleme për t’u zgjidhur dhe kjo mori kohë pasi ai nuk e kishte skuadrën aktuale. Ajo që më surprizoi ishte heqja dorë pas një fitoreje jashtë. E vërtetë se kishte probleme, por ai ishte pranë zonës UEFA. Pashë pak profesionalizëm. I takon atij t’i qartësojë gjërat, ai duhet të thojë disa gjëra që nuk i tha për hir të respektit, përfshirë edhe kontratën. Nuk ishte një eksperiencë e mirë”, ka thënë vëllai i Giampaolit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/