Dramë “Lacio”, Interi në Champions pas 6 vjetësh!

Epilogu më i pabesueshëm i kampionatit italian është shkruar në Romë, “Olimpico”, aty ku Juventusi ngriti kupën e Italisë dhe fitoi titullin kampion, por që tashmë Interi ka fshirë 5 majin e famshëm në vitin 2002, kur Lacio i hoqi titullin, pasi fitoi një ndeshje pa vlerë. Por, këtë herë, hakmarrja ka qenë e rëndë, pasi zikaltërit i kanë marrë Champions League, duke përmbysur një ndeshje të pabesueshme, me pesë gola, një penallti, ndërhyrjen e VAR-it por edhe të kuqin e Luliçit. Në fund, skuadra e Spaletit, ka arritur të fitojë, me heroin e mbrëmjes, Vesinon, me kokë, në një goditje këndi, duke ngritur peshë sektorin zikaltër, ndërsa në pjesën tjetër të “Olimpico”-s ka pllakosur heshtja. Pas 95 minutash, arbitri Roki vërshëlleu fundin dhe kapitullimin e skuadrës së Inzagit, teksa Strakosha nuk ka përmbajtur lotët.

https://www.youtube.com/watch?v=9HKxYI0tPss

Një ndeshje që nisi me rastet e vendasve, por me super Handanoviç, që ishte i pafat te autogoli i Perisiçit, që devijoi në portën e tij me fytyrë, pas goditjes së Marusiçit. Sakaq, goli i Interit nuk vonoi dhe këtë herë do të shënonte D’Ambrozio, në një rrëmujë në zonë dhe me një hije dyshimi nëse ishte faull ndaj Strakoshës ose jo, që mbeti i dëmtuar. Milinkoviç-Saviç goditi shtyllën, ndërsa goli do të vinte me Felipe Andersonin, në një kundërsulm perfekt, të finalizuar me gol të brazilianit. Në pjesën e dytë, skuadra zikaltër dukej e dorëzuar, por një penallti e shkaktuar nga De Vrij ishte ajo që rindezi shpresat, teksa Ikardi nuk gaboi nga pika e bardhë.

Një gol shprese, që u rrit edhe më shumë, kur Luliç doli me të verdhën e dytë. Pikërisht pak më vonë, erdhi edhe goli i Vesinos, me kokë, në zemër të zonës së rreptësisë. Pas 6 vjetësh, Interi rikthehet në Champions dhe e mbyll në vend të shtatë, ndërsa Lacio dorëzohet mes lotëve, sigurisht duke hedhur poshtë një sezon fantastik. Gjithçka në dy javët e fundit, kur edhe me barazim, sonte ia dilte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *