Italia vijon të jetë e mbërthyer nga pandemia Koronavirus, duke qenë vendi më i prekur prej saj pas Kinës. Covid-19 po lë pas një numër të lartë viktimash në fqinjët përtej Adriatikut dhe ka dërguar në kolaps systemin shëndetësor Italian, që nuk përballon dot fluksin e pacientëve. Edhe njerëzit e sportit nuk i kanë shpëtuar dot këtij virusi, teksa shumë futbollistë të Serie A kanë rezultuar pozitivë, ndërsa të tjerë kanë humbur të afërm të tyre prej Koronavirusit.
Një prejt tyre është edhe ish-trajneri i Kombëtares së Italisë, Prandeli. Ky i fundit është shprehur se ka humbur dy miq të tij, ndërsa shumë të afërm i kanë rezultuar të infektuar prej virusit. Sipas tij është vërtet i dhimbshëm fakti se familjarët nuk mund të jenë pranë të dashurve të tyre në momentet e fundit të jetës.
“Kam humbur miq prej Koronavirusit dhe është dramatik fakti se familjarët nuk mund të jenë pranë të dashurve të tyre në momentet e fundit. Shumica e të afërmve të mi kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, por po ia dalin mirë. Jemi të gjithë në shtëpi duke ndjekur këshillat. Duhet të jemi të gjithë të përqendruar dhe të bëjmë këto sakrifica të vogla në mënyrë që të përfundojë shpejt. Ndoshta natyra po na tregon se kemi lëvizur shumë shpejt”, ka deklaruar Prandeli./Sport Ekspres/