Drakula është ringjallur, titulli rumun shkon në Transilvani

Për të katërtën herë në histori, CFR Kluzh është kampion i Rumanisë. Gjithçka në një dekadë, sepse titullim i parë erdhi në vitin 2008, ndërsa sot erdhi i katërti.

Një sezon i shkëlqyer, sidomos në play-off, ku skuadra e Dan Petreskut u tregua pragmatiste, shumë e qetë dhe me mbrojtje të hekurt.

Kjo e lejoi të përfitonte nga gabimet e CFSB-së, ish-Steaua-s, që e humbi titullin në fushën e Poli Iashit të Kamer Qakës. Aty ishte Vaterloja e Xhixhi Bekalit, i cili la titullin ndaj një rivali që luante kot. Pak ditë më vonë Bekali i rrëmbeu Qakën Iashit, por ç’vlerë ka.

Sot Kluzhi mundi 1-0 Vitorulin (aq i mjaftonte, për të lënë një pikë pas FCSB-në, që gjithashtu fitoi), kampionen në fuqi që drejtohet nga presidenti-trajner George Haxhi. Haxhi nuk mund t’ia prishte festën mikut të tij Petresku, aq më shumë që vjet në këtë kohë, si për koincidencë, Vitoruli doli kampion duke mundur 1-0 në ndeshjen e fundit pikërisht Kluzhin.

CFR Kluzhi është klub nga Kluzh-Napoka, qytet që konsiderohet kryeqyteti i krahinës së Transilvanisë, e famshme për Kontin Drakula, aq sa në Rumani Kluzhin e quajnë minoritet dhe bosi i Steauas, Xhixhi Bekali, para pak vitesh tha: “Do të paguaj çdo rival që të ndalë Kluzhin, që titulli të mos largohet nga Rumania”. Dështoi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *