UEFA tronditi Manchester Cityn me vendimin e tyre pak më parë, duke i ndaluar këtyre të fundit pjesëmarrjen në Champions League për dy sezonet e ardhshme për shkak të shkeljeve financiare të bëra. Kjo pritet të ketë pasojat e veta, duke nisur që nga lëkundja e stolit të Guardiolës e deri te humbjet në të ardhura që përfitohen nga ky kompeticion, fitim e të cilëve klubi e ka pasur si objektiv këto vite. Vështirësitë që të jep një vendim i tillë i pasqyron fare qartë edhe Skënderbeu në Superiore, që pas dënimit nga UEFA është në zonën e ftohtë të renditjes.
Ndërkohë, Manchester City ka reaguar pas këtij lajmi të qeverisë europiane të futbollit, duke deklaruar se do e dërgojë çështjen drejt apelimit. Sipas klubit britanik, ky ishte një process që u nis, u zhvillua dhe u gjykua nga UEFA, për këtë arsye shpresa e tyre mbetet te CAS-i. Ky i fundit është një emër i njohur për shqiptarët, teksa të gjithë e kujtojnë se ishte pikërisht CAS-i ai që na dha drejtësinë për atë që ndodhi me Kombëtaren tonë në Beograd për ndeshjen kualifikuese të Euro 2016. Kështu “qytetarët” i kanë tashmë sytë dhe shpresat në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për të shmangur këtë vendim, që mund të rezultojë me pasoja shkatërruese për klubin./Sport Ekspres/
Deklarata e Manchester Cityt:
Klubi ka parashikuar gjithnjë nevojën përfundimtare për të kërkuar një organ të pavarur dhe një proces për të marrë në konsideratë në mënyrë të paanshme organin gjithëpërfshirës të provave të pakundërshtueshme në mbështetje të pozicionit të tij.
Klubi është ankuar zyrtarisht në organin disiplinor Uefa, një ankesë e cila u vërtetua me një vendim të CAS.E thënë thjesht, ky është një rast i iniciuar nga Uefa, i ndjekur penalisht nga Uefa dhe i gjykuar nga Uefa.
Me këtë proces paragjykues që tani ka përfunduar, klubi do të ndjekë një gjykim të paanshëm sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për këtë arsye, në radhë të parë, do të fillojë procedurat me Gjykatën e Arbitrazhit për Sportin në rastin më të shpejtë.