Milutin Kërçiç është ndarë nga jeta duke sjellë trishtim të madh në futbollin shqiptar. Lajmi i trishtë ka mbërritur në mëngjesin e sotëm, ndërsa nuk ka munguar edhe reagimi i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
“Mësova me hidhërim lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej legjendave të “Skënderbeut” dhe futbollit shqiptar, Milutin Kërçiç, idhullin e shumë fëmijëve korçarë të viteve ’70-’80, të vlerësuar për talentin e tij të jashtëzakonshëm nga të gjithë sportdashësit dhe ne, që patëm fatin ta shihnim në fushën e blertë.
Model i lojtarit korrekt në fushë, virtuoz me topin dhe i dalluar për teknikën e rrallë, Milutin Kërçiç do kujtohet gjithmonë me respekt për kontributin e veçantë të dhënë për zhvillimin cilësor të futbollit shqiptar, shembull frymëzues për vlerat e veçanta sportive dhe qytetare, që përfaqësonte.
Ngushëllime të sinqerta familjarëve, kolegëve dhe të gjithëve sportdashësve për këtë humbje të pazëvendësueshme”. /Sport Ekspres/