“Do ndryshonte loja me golin e Uzunit”, flet Berat Gjimshiti: Anglia do të frikësohej, por paguan për gabimet

Shqipëria ka humbur mbrëmjen e stome ndeshjen e dytë kualifikuese për Botërorin e vitit 2022. Në “Air Albania“ triumfon Anglia, e cila mposht kuqezinjtë me shifrat 0-2. Djemtë e Edi Rejas tregohen një mur i vërtetë për “tre luanët” gjatë pjesës së parë, madje arrijnë të flirtojnë me golin, por goditja e Myrto Uzunit shkon sipër traut të portës.

Ekipi kombëtar reziston deri në minutën e 39, atëherë kur Kane i shpëton mbulimit të mbrojtjes dhe tund rrjetën me një goditje me kokë. Rasti i parë i rrezikshëm ky i anglezëve, që në fund ndalet në portë.

Ndërkaq pjesë e dytë i jep më tepër hapësira në fushën e lojës Kombëtares së Anglisë, e cila shënon përsëri falë një “dhurate” nga Shqipëria, që ia bën të lehtë rrugën e golit Mount-it. Megjithatë në fund mund të cilësohet një humbje me kokën lart kjo për Kombëtaren shqiptare, që bën një paraqitje të mirë përballë një kundërshtari si Anglia. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Berat Gjimshiti: “Normalisht që ishte e vështirë kundër Anglisë se ka lojtarë të nivelit të lartë. Ne po e përballonim mirë ndeshjen. Në golin e parë ishte aftësia e Kane dhe pastaj gabimi im në pasim. Nuk i dhamë shumë raste Anglisë. Kane? Nuk është hera e parë që ndeshem me këta sulmues. Por një gabim ndaj tyre dhe e paguan. Nëse Uzuni do të shënonte, mund të ndryshonte loja. Anglia do të kishte më tepër frikë dhe fusha nuk ishte shumë e mirë, duhej të përdornim topin e gjatë. Gjithashtu duhej të kemi më shumë vetëbesim”

Myrto Uzuni: “Mu dha mundësia, mund të kishte shënuar dhe mund të kishim marrë 1 pikë kundër Anglisë që ka lojtarë të mëdhenj. Kur sheh një kundërshtar si Anglia do të luash i tërhequr. Ata sulmojnë në zona boshe dhe prandaj duhej të ishim afër njëri-tjetrit. Anglia ka kualitete si në mbrojtje dhe në sulm prandaj është shumë e vështirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *