Disa ditë përpara ndeshjes mes Spanjës dhe Kosovës, në krahun e kundërshtarëve kishte një tallje të hapur dhe mos respektim ndaj dardanëve. Për shkakun se ky shtet nuk e njeh ende Kosovën si të pavarur, fillimisht zgjodhi që ta quajë rivalin e kualifikueseve si “territori i Kosovës”.
Por kjo nuk ishte asgjë në krahasim me kushtet e vendosura nga Spanja përpara duelit teksa tregoi gjithë planin e ndeshjes. “Nuk shpaloset flamuri dhe do luhet muzikë në vend të himnit tuaj”. Përpara kësaj përbaltje, Kosova u shpreh hapur se refuzon të luajë ndeshjen nëse nuk do të respektohet.
Sipas “El Confidencial” Spanja është tërhequr nga pretendimet e saj duke pranuar që të shpaloset flamuri dhe të vihet himni. Kjo pasi sporti nuk duhet të përfshihet me politikën teksa Kosova është e njohur me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA. Në rast se do të kishte sërish një refuzim nga ana e tyre, atëherë mund të vinte një dënim nga “Qeveria e futbollit”. /Sport Ekspres/