Nga Klaudio Ndreca
Që në momentin kur u hodh shorti për kualifikueset e Botërorit, ndryshe nga Hungaria, Polonia e ka nënvlerësuar së tepërmi Shqipërinë. Së fundmi janë mediat polake që teksa flasin me lojtarin shqiptar të Wisla Krakow mbi gjendjen e ekipit në kampionat, gjejnë kohën për të folur edhe mbi Kombëtaren. Pikërisht me Vullnet Bashën, vëllain e Migjenit, teksa të dy lojtarët kanë qenë pjesë e Kombëtares në të shkuarën. Megjithatë ndryshe nga Migjeni, Vullneti nuk la gjurmë me performancën e tij dhe do të fshihej shpejt nga lista.
Kur pyetet në lidhje me gjendjen e Shqipërisë dhe sa të vështirë do ta ketë Polonia, Vullneti shprehet se nuk do ta kenë aspak të vështirë që të na mundin në të dy takimet. “Ajo që mund t’ju them është se Polonia do t’i fitojë të dyja ndeshjet me Shqipërinë. Ju keni lojtarë më të mirë, skuadër më të mirë, gjithçka. Shqipëria nuk ka qenë mirë në këto kohë të fundit. Pavarësisht rezultateve, se Polonia nuk krahasohet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Atje dallohen Berat Gjimshiti dhe Keidi Bare. Por Polonia ka lojtar të shkëlqyer dhe jam i sigurt se ka ekip më të mirë se Shqipëria”.
I pyetur nga ana e gazetarit nëse pret që të ketë një ftesë duke ditur se trajneri Reja do të detyrohet të shoh më tepër elitën e futbollit në Poloni, Vullneti e sheh në këtë mënyrë: “Nuk e di, gjithçka është pak e çuditshme, nuk e kuptoj këtë situatë. Por as që e mendoj më. Them se nuk do të kthehem më te Kombëtarja, këto janë vendimet e marra. Asnjëherë nuk kam pasur rastin të zbuloj se përse nuk më kanë thirrur, megjithëse thërrasin lojtarë që kanë qenë pa klub për një kohë të gjatë. Vetëm duhet të pranoj vendimin, megjithëse më dhemb shumë”, tha Basha. /Sport Ekspres/