Në tre ndeshjet e fundit Partizani ka grumbulluar vetëm një pikë. Padyshim hapi më negativ i të kuqëve duke parë edhe kalimin e javëve të cilat të çojnë në fundin e kampionatit. Koha nuk pret për Partizanin pasi diferenca me kreun thellohet në minus 12 pikë. Gati-gati një tërheqje nga gara për kampionët aktual të Shqipërisë të cilët objektivin e titullit e shohin gjithmonë e më larg ndeshje pas ndeshje.
Tifozët janë ata që nuk kanë më durim duke parë të eksperimentohet me skuadrën. Reagimet e shpeshta kanë qenë ndaj drejtuesve të klubit duke i akuzuar këta të fundit për gjendjen që po kalon Partizani. Lajmi më i hidhur për ta ishte largimi i trajnerit Skënder Gega. Me shpresën se gjithçka do përmirësohej, tifozët besuan edhe këtë herë. Por edhe durimit të tyre u vjen fundi kur rezuktatet mungojnë. Në këtë pikë tifozët guerils kanë kërkuar largimin e drejtorit sportiv Olsi Rama dhe rikthimin e Skënder Gegës në stolin e të kuqëve./Sport Ekspres/