Ishte paralajmëruar prej ditësh dhe dje erdhi vendimi i Komisionit të Disiplinës: Shpëtim Duro dënohet me dy ndeshje me 1 milion lek gjobë. Trajneri i Flamurtarit ka pasur ankesa për gjyqtarët këtë sezon dhe kohët e fundit e ka shprehur hapur mendimin e tij, duke akuzuar disa gjyqtarë se gabojnë me dashje dhe duke evidentuar edhe faktin që Eldorjano Hamiti e gjykon prej tre ndeshjesh Flamurtarin kundër Kukësit, duke gabuar disa herë këtë sezon.
A tha ndonjë gjë të re Duro? Në fakt, jo! Thuajse çdo javë shohim trajnerë, lojtarë, drejtues e klube që lëshojnë deklarata plot mllef ndaj arbitrave, herë me të drejtë e herë pa të drejtë. Nëse në valle marrin pjesë të gjithë, pse ndëshkohet Duro? Standardet e dyfishta të Komisionit të Disiplinës, si të gjitha komisioneve të tjera në FSHF, duken qartë në këtë rast, edhe për faktin se si për dreq, pikërisht në momentin që do dënohej Duro, doli Kukësi me një deklaratë të fortë për mediat, deklaratë edhe më e fortë se ajo e Duros: “Enea Jorgji është i korruptuar, e ka blerë Kamza. Nuk e duam më në ndeshjet tona”. Pse Kukësi ka imunitet nga Disiplina dhe nuk reagon as FSHF, të paktën me një komunikatë ku të kërkohet ulja e toneve dhe të evitohet termi “i shitur, i blerë”, që aq qejf e kemi ne shqiptarët? Pse pikërisht Shpëtim Duro bëhet shembull, kur ka plot kolegë të tij që pa asnjë frikë kanë akuzuar gjyqtarë për të gjitha të këqijat e kësaj bote? Normalisht, para ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë, por tashmë jemi mësuar, në Shqipëri ka ligj, ka edhe Maliq…