Presidenti Besnik Kapllanaj thotë se nuk ka asnjë të vërtetë dhe Dimo të tregojë kush e kontaktoi: Klubi fierak të reagojë, mos të bëhet palë me shpifësin
Presidenti i skuadrës së Bylisit, Besnik Kapllanaj ka reaguar në lidhje me akuzat që janë bërë nga kapiteni i Apolonisë, Amarildo Dimo, i cili ka deklaruar ditët e fundit se ka pasur një tentativë për të rregulluar ndeshjen Bylis-Apolonia, që të fitonin ballshiotët. Kapllanaj i quan shpifje, madje dhe përbaltje të imazhit të klubit ballshiot, që nuk ka asnjë lidhje në këtë “mesele”. Në një prononcim enkas për “Sport Ekspres”, Kapllanaj thotë: “Janë deklarata të turpshme, kërkoj nga Dimo publikisht që të nxjerrë sa më parë emrin e personit që e ka kontaktuar, meqë e ka deklaruar në media një gjë të tillë. Deklaratat shpifëse duam që të vërtetohen një sekondë e më parë, sepse prishin imazhin e klubit ku ne kemi një jetë që investojmë dhe s’ mund të përbaltet me shpifje të ulëta.
“Dimo duhet që të tregojë personat, por jam i sigurt se ajo është një shpifje, madje për këtë rast i kërkojmë edhe klubit të Apolonisë që të bashkëpunojë. Dimo është kapiten i tyre dhe përfaqëson fanellën e atij klubi, ndaj edhe duhet që të marrin masa sa më shpejt ndaj lojtarit te tyre për akuzat mjaft të rënda duke përbaltur Bylisin, investimet kolosale të familjes sime, por edhe tërë Mallakastrën me atë që ka pohuar. Nesër(sot) do t’i drejtohemi edhe me shkresë zyrtare Apolonisë, sepse nuk mund të tallet Dimo e askush me Bylisin dhe Mallakastrën. Kërkojmë që e vërteta të dalë sa më shpejt dhe unë nuk e lë me kaq këtë çështje”,- tha dje presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, në prononcimin për gazetën.