Futbollistët nuk paguhen prej muajsh dhe i kanë dhënë klubit ultimatum deri të premten, ndryshe do të bëjnë grevë duke mos zbritur në fushë. Mbrojtësi nga Struga, Isnik Alimi, në pronësi të Atalantës
Me grevën e lajmëruar në prag të ndeshjes së Kupës së Italisë në Serinë C me Padovën, futbollistët e Viçencës (mes tyre edhe një shqiptar, Isnik Alimi), në fund të një takimi me klubin, kanë vendosur që t’i japin kohë deri të premten për të parë nëse rrogat kanë kaluar në llogaritë e tyre bankare. Futbollistët janë mbledhur në qendrën teknike të Isola Vicentina (Viçenca) ku pasdite mbërriti administratori i klubit, Fabio Sanfilipo, i cili i ka garantuar, një delegacioni të ekipit (i pranishëm edhe drejtori sportiv Zonki) që të premten, në prag të ndeshjes me Padovën, rrogat do të paguhen. Në këtë pikë, bardhekuqtë kanë vendosur të vazhdojnë stërvitjen, në pritje të zhvillimeve. Nëse edhe njëherë përgjigjia të premten do të ishte negative, atëherë asnjë nga futbollistët nuk do të zbresë në fushën “Euganeo” të Padovës për të zhvilluar derbin e Serisë C.
Si Lila & Co – Situata e Viçencës të kujton atë të Parmës kohë më parë, tek e cila kaloi edhe Andi Lila. Në fakt, mbrojtësi shqiptar do të transferohej nga Greqia në Serinë A, me ëndrrën e madhe, por tranzicioni dhe rruga drejt falimentimit, me Donadonin trajner dhe Pietro Leonardin drejtues, ku pikërisht Rezart Taçi do të merrte në dorë për disa muaj klubin, ishte ajo që u kthye në makth. Por, historitë e falimentimeve kanë qenë të shumta edhe për shqiptarë të tjerë, pasi edhe Edgar Çani kaloi një të tillë me Polonian e Varshavës, duke mos u paguar për muaj të tërë, ashtu si Fabio Sakaj me Modenën, vetëm pak muaj më parë. Ndërkohë, radha është e Isnik Alimit, që luan me Viçencën dhe që tashmë rrezikon të mbetet pa ekip, edhe pse janari është “kamerdarja” e shpëtimit. Ndërkohë, kur flasim për Viçencën, flasim për një klub me një histori mbi 100 vjet, duke qenë se u themelua në vitin 1902 dhe madje ka edhe një Kupë Italie të fituar, përveç se pjesëmarrje në Kupën e Kupave, ku edhe shkoi në gjysmëfinale. Por, lavdia ka përfunduar, teksa paraqitja e fundit në Serinë A daton në sezonin 2000-2001. Stadiumi i bardhekuqve është historiku “Romeo Menti”, ish futbollist.
Historia e lavdishme – Emra të mëdhenj të futbollit italian, ndërkohë, kanë veshur fanelën e Viçencës, si Roberto Baxhio, tepër i ri, në sezonin 1984-1985… Isnik Alimi, megjithatë, duke qenë se është në huazim nga Atalanta, që i paguan rrogën, do ta kishte të lehtë të gjente skuadër tjetër. Atalanta e bleu nga Kievo, teksa më pas vetëm e huazoi. Alimi është mbrojtës qendre dhe prej vitit 2014 është pjesë e Shqipërisë, duke u provuar me U-21. Panuçi e ndjek me vëmendje, edhe pse ende s’ka bindur deri tani. Ai ka lindur në një fshat pranë Strugës.