Diego Kosta, “heroi i heshtur” i Spanjës

Diego Kosta është një nga sulmuesit më të mirë spanjollë në dekadën e fundit, edhe pse është më i njohur për lojën e tij antisportive. Përveç temperamentit negativ të sulmuesit, çdo gjë tjetër e tij është në të mirë të skuadrës. Kosta është i fortë fizikisht, nxjerr skuadrën përpara, i aftë të ruajë topin e të luajë me shpinë nga porta. Është tamam një sulmues i kompletuar, një “makth” për të gjithë mbrojtësit kundërshtarë.

Edhe në kryendeshjen kundër Portugalisë, Kosta tregoi të gjitha aftësitë e tij, pavarësisht se vitet nuk janë më në favor të tij. Sulmuesi i Atletiko Madrid, kur e ka kokën në vend të duhur, është arma më e fortë që Spanja ka në dispozicion. Goli i parë kundër Portugalisë nxorri në pah aftësitë më të mira të bomberit spanjoll.

I vetëm kundër dy qendërmbrojtësve si Pepe dhe Fonte, arriti të ulë topin, ta mbrojë, të driblojë dhe të shënojë. Ndoshta ishte faull ndërhyrja kundër Pepe, por pak rëndësi ka. Kosta tregoi se në momentet më të vështira të skuadrës, është gjithmonë aty. Edhe gjatë pjesës së dytë, Spanja ishte sërish në disavantazh, por Kosta barazoi përsëri. Kësaj radhe nuk kishte merita shumë të mëdha, pasi thjesht shtyu një top drejt rrjetës. Gjithsesi, bomberi i Atletikos tregoi se e ka ende “nuhatjen” për gol.

Në Spanjë kanë filluar të mendohen dy herë sa i takon kritikave kundër Kostës dhe tashmë të gjithë janë me të. Në gadishullin iberik, janë të bindur se Kosta do të jetë lideri i Spanjës gjatë botërorit në Rusi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *