Dibala në frymën e fundit, goli që ka peshën e sezonit!

Paulo Dibala “is back!”. U kthye dhe ndoshta tashmë nuk do të ndalet… Një gol në frymën e fundit, me dhunë, me dëshirë, sakrificë dhe besim. Sepse, argjentinasi edhe pse duke rënë, arrin të godasë topin dhe ta dërgojë aty ku Strakosha e ndoqi vetëm me sy dhe nuk mundi të bënte asgjë. Juventusi fiton një nga transfertat më të vështira në absolut dhe tashmë e sheh veten sërish pranë Napolit, teksa ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur.

Në një sfidë ku 45 minutat e para u mbyllën me asnjë gjuajtje në portë nga ana e bardhezinjve,në të dytën, ndoshta edhe në sajë të zëvendësimeve, presioni dhe trysnia u rrit, por vetëm në minutën e tretë shtesë erdhi rrjeta vendimtare, ajo që rihapi titullin për “Zonjën”, që mund të rrezikonte të largohej objektivi, në rast suksesi napolitan ndaj Romës. Sigurisht, për t’u nënvizuar edhe dëmtimi i Manxhukiçit, që mund të jetë serioz.

Në mungesë e Higuanit, pikërisht “La Joya” zgjidh gjithçka, pas një ndeshje thuajse në hije me vetëm një goditje që u ndal në trupin e Luis Felipes, ndërsa Lacio ka qenë më e projektuar nga sulmi, edhe pse ndoshta energjitë i kanë munguar, për shkak të sfidës së pak ditëve më parë (120 minuta në Kupë).  Sigurisht, ka edhe një autogol të anulluar për shkak se Rugani shkaktoi faull ndaj Radu, teksa Lukaku e devijoi në portën e tij.

Një Lacio që del e humbur në një ndeshje që duhet të ishte mbyllur në barazim, por që në futboll, edhe sekondi sjell atë që nuk sjell gjithë ndeshja…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *