Mbrëmë, në kuadër të javës së 31-të të Serisë A, Roma u mposht me rezultat 3-1 në Bergamo nga Atalanta. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 39-të me anë të Pasalic dhe Toloi e dyfishoi me gol në minutën e 74-të. Pellegrini i dha Romës një fije shprese në minutën e 83-të, por vetëm një minutë më vonë Koopmeiners shënon një gol tjetër dhe mbylli historinë e takimi. Roma tani është e pesta me 56 pikë, po aq sa Milani i vendit të katërt, ndërsa Interi është në vendin e gjashtë me 54 pikë. Nga ana tjetër, Roma do të luajë në gjysmëfinalen e Europa League kundër Leverkusenit.
Menjëherë pas humbjes së djeshme, Mourinho zgjodhi që të thumbonte Lacion me daljen nga Europa duke ditur sesi t’i gëzojë tifozët e Romës edhe pas një humbje. “Nuk jam mësuar të zgjedh mes kupave dhe kampionatit si bëjnë të tjerët. Nuk mund të largohem nga Europa për të ngelur në kampionat. Nëse do ta kishim bërë këtë, do të na kishin mbetur pak ndeshje dhe mund të fokusoheshim në to, pa dhimbje koke”, tha Mourinho. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/