Devolli: Pësuam aksidentalisht, ne më të fortë se shumë ekipe

Bledar Devolli, trajneri i Kastriotit, pas ndeshjes me Laçin u shfaq i zhgënjyer me faktin që nuk fituan dhe në pjesën e parë ia falën kundërshtarët. Pas ndeshjes, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ai analizoi takimin me kurbinasit.

“Më ngeli peng goli që morëm, ishte aksidental. Nuk duhet të na ndodhte në këto momente. Falëm 45 minuta. Pjesën e parë nuk luajtëm mirë. Pësuam dhe hymë në panik. Nuk shtruam dot lojën, edhe për faj të erës. Ndryshuam në pjesën e dytë, shënuam dhe patëm raste. Është për të ardhur keq. E kisha thënë se ishte kundërshtari më i rrezikshëm, pasi të prish lojën. Nuk është se na rrezikoi me aksione. Duhet të kënaqemi me këtë pikë. Më pëlqen fakti që ekipi tregon karakter”.

Ndryshimi? Markuam më afër dhe kapëm mesfushën. Nisëm të luanim me topin dhe shënuam një gol shumë të bukur. Duhet të ishim më agresiv në 20 metrat e fundit. Në një nga kundërsulmet duhet të shënonim dhe të fitonim. Na duhen shumë pikë, kjo na vlen në fund të garës.

“Rivalët? Ata i presim në Fushë-Krujë fazën e katërt. Pas Partizanit jemi më mirë se të tjerët. Vazhdojmë punën dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë. Shkojmë edhe në Vlorë për pikë. Llogaritë bëhen në fund, ne do vazhdojmë luftën. Kam besim tek ekipi dhe te mbështetja që kemi nga të gjitha anët”.

“Luftëtari më i fortë? Nuk e di, mund të pyesni Julin. Kemi fituar 5-1 atje dhe respektojmë çdo kundërshtar. Ne vazhdojmë punë. Vetëm kështu mund të besojmë. Mendoj se jemi më të fortë se 4-5 ekipe që janë mbi ne. Juli? Më behet qejfi për trajnerët e rinj”.

“Punojmë çdo ditë, e sidomos para ndeshjes për goditjet standarde. Kjo është pika jonë më e fortë, pasi kemi shtatlartësi. Në vend që ta shfrytëzonim ne, e pësuam. Goli ishte aksidental, ka ardhur një herë e gjysmë te porta jonë dhe shënoi. Nuk jam i kënaqur me 45 minutat e para, pasi nuk fituam asnjë dyluftim. Me ka ngelur peng pjesa e parë”,- përfundoi Devolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *