Trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli komplimentoi skuadrën e tij për pikën e marrë në Vlorë, por pranoi se mund të kishin marrë më shumë nëse skuadra do të ishte më cinike. Në fjalën e tij për “Supersport”, Devolli tha:
NDESHJA – “Më pëlqeu grinta dhe dëshira e ekipit. Këta djem dinë të lozin futboll. Reaguam mirë, barazuam dhe me pak fat mund ta kishim fituar ndeshjen”.
ROXHER – “Nëse e keni vënë re, në fund të pjesës së parë bëmë një ndryshim, duke kaluar Roxherin pas sulmuesit. Bëri një ndeshje të mirë sot., në pjesën e dytë, me pak fat mund të kishim bërë më mirë, por mungoi pasimi i fundit, i cili po na behët “makth”. Morëm një pikë me shumë vlera përballë një kundërshtari shumë të vështirë”.
KALE PROBLEMATIK – “I kishim marrë masat për Kale, pasi është një lojtar shumë i mirë dhe në situatë një për një, të hap probleme. Useinit i kam bërtitur, pasi i rrinte shumë larg dhe krijohej rrezikshmëri. Aktivizova Heraldin në krah që të dublonte krahun.
KALAJA – “Kalaja është një lojtar që luan kudo, në krah, brenda në qendër. Jam shumë i kënaqur me të, por i mungon ajo qershia mbi tortë, goli. Po të shënojë, do ta ndihmojë shumë nga ana psikologjike”,- u shpreh Devolli.