“Deshi Zoti nuk shënoi Partizani në fund”, Xhaferi gëzon Vllazninë: Do japim premio edhe për barazimin

Vllaznia ka marrë një barazim në një sfidë delikate si ajo me Partizanin. Por edhe një pikë në këtë takim ka një vlerë të madhe për shkodranët, të cilët ruajnë të qetë diferencën 9 pikë me të kuqtë. Sponsori Xhaferi ka dhënë një prononcim për mediat pas përfundimit të ndeshjes, ku shprehet se me ndihmën e Zotit Vllaznia ia doli të mos humbte ndaj Partizanit. Madje sipas tij edhe barazimi duhet shpërblyer, prandaj nuk e përjashton dhënien e një premioje për skuadrën.

“Për mendimin tim është bërë një pjesë e parë e bukur nga ana jonë, Por Partizani e ktheu lojën. Për mua ishte një ndeshje e hapur. Kushtet atmosferike ishin të kufizuara për të bërë atë futbollin e bukur. Në fund ishte një rast i pastët për Partizanin, por deshi Zoti dhe nuk u shënua gol. Kështu që mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë.

Premio? Padiskutim, djemtë kanë derdhur djersë dhe mendoj që bënë një lojë të bukur. Do ta shpërblejmë edhe barazimin, sepse për ne është një rezultat i mirë.

Diferenca me 9 pikë? Trajneri ka thënë një shprehje: “Ne jemi llogaritarë të këqinj”. Nuk duhet të ecim me llogaritjen e pikëve, por me këmbë në tokë. Por gjithmonë diferenca të ngroh.

Ne ia kemi bërë yzmetin në maksimum. Kemi bërë një lojë shumë të ndershme. Po mundohemi të bëjmë një futboll të bukur. Trajneri me grupin e lojtarëve po arrijnë një sukses të merituar. Vllaznia është me meritë të plotë atje ku është“, ka deklaruar Alban Xhaferi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *