Mund ta quajmë e diela e portierëve, që vendosin ndoshta fatet e një sezoni. Pasdite ishte Donaruma ai që shuajti ëndrrat e Napolit për titull, duke pritur një goditje vetëm dy hapa larg të Milikut, duke i thënë “jo” golit të axurrëve, ndërsa sonte në mbrëmje, Thomas Strakosha ishte protagonisti i derbit të Romës, duke mbajtur portën e paprekur nga një goditje e Xhekos, që më pas u ndal edhe nga shtylla. Dy pritje në fund deçizive…
Një pritje deçizive, që mban Lacion në Champions, teksa edhe Roma gjithashtu ruan pozitat e saj, pra në vend të tretë. Të dyja me 61 pikë, teksa Interi kalon në vend të pestë me 60 pikë, pas barazimit me Atalantën.
Ndeshja nuk është se ka pasur shumë emocione, edhe pse u ndez në pjesën e dytë. Ishte Imobile ai që tentoi në pjesën e parë, por pa fat, ndërsa Bruno Peres goditi shtyllën e Strakoshës.
Në pjesën e dytë, Luis Alberto frikësoi jo pak Alisonin, teksa Radu doli me të kuq, pra me dy të verdha, por Marusiç iu afrua golit që do të ishte “dush i ftohtë” për romanistët.
Edhe Parolo pati një rast të rëndësishëm, por nuk ishte me fat. Ndërkohë, fundi i ndeshjes ishte për aritmi, duke qenë se Edin Xheko tronditi shtyllën e Lacios dhe gjeti një Strakosha super. Po boshnjaku pati një shans më pas dhe nuk arriti të realizonte.