Tifozët e Tiranës janë rikthyer në stadium, ku po vijojnë protestën e tyre duke shprehur hapur qëndrimin kundër presidentit Refik Halili. Gjatë ndeshjeve të para të kampionatit nuk kanë munguar edhe ofendimet ndaj numrit një të klubit bardheblu. Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur gjatë ndeshjes miqësore Tirana-Shqipëri U21, teksa një tifoz pa u mbyllur takimi ka ofenduar presidentin Halili.
Pak minuta më pas është parë mjeku që ndodhej në ambulancën që ishte brenda në stadium të dilte me vrap jashtë stadiumit, ndërkohë që janë dëgjuar edhe sirenat e ambulancës duke ikur. Në orët e mbrëmjes është shpërndarë një mesazh nëpër faqe të ndryshme në rrjetet sociale, ku thuhet se 23-vjeçari me inicialet O.K. është dhunuar barbarisht nga persona pranë presidentit Halili, madje ky person nuk ka qenë ai që ka ofenduar kreun e Tiranës.