Një futbollist gabon, del me karton të kuq, mungon një ose dy ndeshje. Nëse ka shkelje të rëndë disiplinore, merr edhe më shumë ndeshje pezullim, ashtu si trajnerët, mjafton të kujtohet që Starova e Duro kanë bërë pushime të gjata këtë sezon, për deklaratat e tyre. Po arbitrat? Nëse për futbollistët e trajnerët gjithçka publikohet nga FSHF, për arbitrat ka heshtje totale. Nuk dihet kurrë nëse një arbitër është dënuar për gafat që bën, sa është dënuar dhe kur do të kthehet. Ka pasur raste për gabime skandaloze ku arbitri meritonte dënim të rëndë, por ka munguar një ndeshje, është kthyer tjetrën pa zhurmë në Kategorinë e Parë dhe më pas sërish në Superiore. Një përkëdhelje, me pak fjalë, si të marrësh pushim nga puna se je lodhur pak. Juxhin Xhaja u dënua pas Flamurtari-Laçi 0-1 më 17 dhjetor, ku e bëri katrahurë totale dhe mungoi për një javë, duke mos drejtuar më në dhjetor, por u kthye që në ndeshjen e parë të vitit të ri. Laver Alla e teproi në Kamza-Luftëtari, aq sa u bë objekt bejtesh nga gjirokastritët, ndërsa u dënua dhe nuk gjykoi më në dhjetor. Eldorjan Hamiti është shpallur “non grata” nga Flamurtari e tani edhe nga Vllaznia. Ka munguar për një periudhë të shkurtër më parë, të shohim sa do mungojë pas arbitrimit në Kukësi-Vllaznia, sepse për dreq, Hamitit me Kukësin nuk i ecën fare, si shpesh e ndihmon. Ka edhe dënime të tjera për arbitrat, po kush i merr vesh. Edhe arbitrat nuk kanë më frikë, fundja kur nuk u dënua Enea Jorgji për Kukësi-Skënderbeu në fund të sezonit të vjetshëm, askush nuk duhet të dënohet, apo jo?
DËNIMET E KONFIRMUARA
Juxhin Xhaja e Rejdi Avdo – Pezulluar për një penallti të padhënë Abazajt në sfidën Luftëtari-Kukësi më 14 mars
Eldorian Hamiti – Pezulluar për arbitrimet në ndeshjet e Flamurtarit
Emirjon Sino e Ilir Tartari – Pezulluar për arbitrimin e javës së shkuar në Skënderbeu-Luftëtari
Ardian Beqiri – Pezulluar për arbitrimin në Laçi-Kamza 2-0, javën e shkuar
Laver Alla – Pezulluar për dy ndeshje: në Kamza-Luftëtari 0-1 më 10 dhjetor (u kthye në janar) dhe në Kukësi-Teuta 3-2, më 10 mars