Tjetër problem për kombëtaren shqiptare. Në stërvitjen e djeshme kuqezinjtë humbasin një tjetër element. Bëhet fjalë për Ermir Lenjanin. Por nuk mbaron me kaq. Probleme ka edhe për Kristal Abazajn. Duket se trajneri i kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, po humbet një nga një lojtarët e tij.
Kështu, në stërvitjen e djeshme, pas 30 minutash përgatitje ai që la fushën ishte Ermir Lenjani. Futbollisti kuqezi pati probleme dhe braktisi ekipin. Sipas asaj që është marrë vesh, dëmtimi i Lenjanit duket serioz dhe lojtari kuqezi pritet të humbasë miqësoren me Kosovën. Menjëherë trajneri i kombëtares në krahun e majtë vendosi Bujar Likën, i cili me të gjitha gjasat do të jetë titullar ndaj Kosovës.
Probleme me këmbën ka edhe afrimi i radhës së kuqezinjve, Kristal Abazaj. Futbollisti ndonëse planifikohej si titullar shqetësohet nga një dëmtim i vjetër. Seanca e dytë stërvitore e kuqezinjve në Zvicër dha disa të dhëna të para mbi elementët që Panuçi mund të përdorë për miqësoren me Kosovën më 29 maj.
Trajneri i kuqezinjve e bazoi seancën e tij kryesisht në ndërtimin e aksioneve sulmuese, teksa provoi disa lloje situatash në repartin e avancuar, duke dhënë udhëzime dhe për daljet përpara portës nëpërmjet shfrytëzimit të krahëve. Në mesin e fushës me të gjitha gjasat do të luajë dyshja Ramadani-Qaka. Roshi dhe Abazaj nëse ia del do të luajë nga krahët. Dy mbrojtësit e krahut do të jenë Hysaj dhe Bujar Lika. Grupi zhvilloi edhe një miqësore brenda vetes për të parë formën e secilit në lojë.