Egzon Binaku nuk do të debutojë me Shqipërinë në miqësoret e radhës kundër Kosovës e Ukrainës. Mbrojtësi i majtë i Malmos ishte një nga risitë e listës së Kristian Panuçit dhe pritej me interes të madh, por një dëmtim e detyron të qëndrojë në Suedi.
Në ndeshjen e javës së shkuar kundër Hakenit Binaku u dëmtua dhe u zëvendësua në minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Anderson për ndeshjen e sotme kundër Dalkurdit, e fundit për fazën e parë, duke qenë se kampionati suedez do të ndalet për Kupën e Botës.
“Egzoni nuk mund të luajë nesër dhe nuk do të shkojë as në Kombëtare. Nuk mund të rrezikojmë, pasi është rrugë e gjatë dhe shumë ditë larg shtëpisë. Ai doli në stërvitje dje dhe sërish ndjeu dhimbje, ndaj duket se diçka nuk shkon me muskulin e tij”, deklaroi trajneri Daniel Anderson.
Binaku ka luajtur më parë për Suedinë U-21, por ka vendosur të luajë për Shqipërinë, edhe pse debutimi do të vonojë. Një telash i ri për trajnerin Panuçi, sepse në të majtë mbetet vetëm Lenjani, duke qenë se Aliji është duke luajtur ndeshjet play-off për mbijetesë me Virtus Entelën në Itali.