Dedja: Tifozë, ekipi ka nevojë për ju!

Lushnja i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Flamurtarin, teksa ekipi ka punuar në stadiumin “Roza Haxhiu”, aty ku edhe do të luhet takimi i sotëm. Pas seancës stërvitore, trajneri Hysen Dedja ka dalë para mediave dhe ka analizuar kundërshtarin e kësaj jave. Ai ka përcjellë edhe një mesazh të rëndësishëm për tifozët. “Është një takim mjaft i fortë, për vetë pozicionin që ndodhemi ne me kundërshtarin. Flamurtarin e kam ndjekur nga afër dhe sadopak kam nxjerrë mësime nga takimi i tyre me Skënderbeun. Kam pasur kohë të punoj me skuadrën, duke përfituar nga ndërprerja e kampionatit dhe shtyrja e ndeshjes me Vllazninë. Shoh një impenjim maksimal të çunave, ndërkohë që kemi pasur fatin të stërvitemi në kushte të mira. Më duhet të përsëris se kemi nevojë për ndihmën e publikut. Me të vërtetë në këto momente këta djem kanë nevojë për ndihmën e spektatorit. Mendoj që sot ndaj Flamurtarit, ajo që është më kryesorja është rezultati pozitiv”, deklaroi tekniku Dedja, që më tej thekson se Lushnja i ka mundësit t’ia dalë me sukses sot.

“Me plot gojën e them që janë mundësitë për të thyer Flamurtarin. Gjithmonë, duke e vlerësuar në maksimum kundërshtarin. Unë shoh që skuadra ka impenjim dhe cilësi. Është pak problem mentaliteti i skuadrës, që duhet të thyhet, dhe është shumë më mirë kur thyhet me një skuadër si Flamurtari, që pretendon fronin apo kupat e Europës. Është një gjë e madhe që t’i marrësh pikë këtij kundërshtari”, tha Dedja, ndërsa në fund foli edhe për repartin e mbrojtjes, që në Gjirokastër shfaqi probleme. “Nuk kam ndonjë merak për mbrojtjen. E mira është duke marrë rezultatin dhe duke korrigjuar. Duke i mbajtur në tonus dhe duke i korrigjuar, sepse ky grup është i gatshëm dhe me këtë grup do t’i përgjigjemi”, përfundoi tekniku shkodran. Lushnja do vijojë të ketë mungesa, me Branicën, Korreshin dhe Xhafën të dëmtuar prej kohësh, ndërkohë që edhe Shkulaku ka probleme. Arjan Likja

Formacioni i mundshëm i Lushnjes

Spaho – Ruço, Meto, Bufazi, Mone – Magani, Gava, Taullau, Papa – Canka – Sefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *