Mario Vrushaj, talenti shqiptar i Olimpiakosit, sot ka festuar golin e parë si profesionist, në ndeshjen e parë në Superligën greke. Një debutim ëndrrash për 19-vjeçarin e rritur tek Olimpiakosi, që ka gjetur hapësirë në ekipin e parë këtë javë, për shkak të pezullimit të shumë lojtarëve nga presidenti Marinaqis. Megjithatë, jo të gjithë titullarët u përjashtuan dhe Olimpiakosi luajti me një formacion shumë cilësor, duke fituar 5-1 në kampionat ndaj Korfuzit.
Në minutën e 78-të, kur rezultati ishte 4-1, Vrushaj u fut në vend të belgut Miralas dhe në minutën e 87-të shënoi golin që vulosi fitoren, gol që do të mbahet mend përgjithmonë nga vetë djaloshi shqiptar.
Deri para pak kohësh kishte shumë paqartësi mbi faktin se cilën kombëtare do të zgjedhë Vrushaj, por sulmuesi i talentuar duket se e ka ndarë mendjen, sepse prej nëntorit të vitit të shkuar luan për Greqinë U-19, duke shënuar edhe gol ndaj Finlandës muajin e shkuar.
Pas ndeshjes, trajneri Kontis ndër të tjera tha: “Tani të rinjtë kanë një shans për të na treguar sa vlejnë, si bëri sot Vrushaj”.