Rudi Vata do të mungojë në ndeshjen e Shqipërisë së yjeve, ndërsa kjo çështje ka shkaktuar shumë polemika. Kjo ka sjellë edhe momente debati te “Procesi Sportiv” mes Gëzim Sinematit dhe Andi Lilës. Ky i fundit është shprehur se nuk ka pasur qoka në këtë listë të krijuar, që ka pasur miratimin e kryesisë së Sindikatës të Futbollistëve Shqiptarë.
Debati mes Andi Lilës dhe Gëzim Sinematit
Andi Lila: “Këtu është një kauzë e madhe dhe këto emra ne kemi menduar dhe marrë miratimin te Sindikata. Sigurisht që mund të kemi bërë edhe gabime, e pranoj. Por ata do të marrin pjesë në evenimente të tjera. Vata është lojtar i madh dhe unë nuk heq asgjë”.
Gëzim Sinemati: “Po kështu bëhen këto punë në Shqipëri. FSHF duhet të merrte listën dhe mos ta pranonte. Po ku është Haxhi, po ku është Vata?. Nuk mjafton falja që kërkove”.
Andi Lila: “Nuk kërkova falje unë, nuk i kërkoj falje njeriu. Thjeshtë thashë që mund të kemi bërë gabime. Po të ishte për qoka, do të luaja edhe vetë”.
Gëzim Sinemati: “Po si do të luash ti? A ke vrarë gjurin?”.
Andi Lila: “Jo, për këto ndeshje jam mirë. Pastaj të ishte për qoka do të merrja edhe Ansi Agollin që e kam shumë mik të mirë, por ai mungon”.