Zgjedhjet e Edi Rejës për sfidën ndaj Izraelit kanë hapur debat në studion e emisionit “Skaner” në “MCN TV”. Nevil Dede është i mendimit se trajneri i ekipit tonë kombëtar gaboi me Seferin. Sipas tij, sulmuesi i Tiranës meritonte të paktën të hynte si zëvendësues në ndeshjen ndaj Izraelit.
“Mund të jesh kundër Seferit dhe Tiranës, por i është ngrënë haku këtij lojtari. Shënoi gol dhe më pas zhduket, nuk është në fushë. Nëse nuk e fut titullar, atëherë duhet të jetë zëvendësim i parë me patjetër. A shënoi gol me Islandën? Kush më thotë mua se kush ishte sulmuesi tjetër që bëri më mirë ndaj Islandës se Seferi? Kur iku Uzuni, e meritonte direkt”, ka thënë Nevil Dede.
Megjithatë, kundër ka dalë Alban Xhihani, i cili jep si argument faktin se në përballjen e luajtur në “Air Albania“ ishin të gatshëm lojtarët e tjerë që luajnë në kampionate më elitare në Europë. “Megjithëse respektin për Seferin, por nuk është këtu problemi, nuk do të ndalemi vetëm që përse nuk hyri Seferi kur ishin të gjithë lojtarët e tjerë aty që luajnë në kampionate të njohura”, është shprehur Alban Xhihani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/