Gjithmonë me humor dhe asnjëherë banal, Xhani de Biazi ka pranuar festën e FSHF-së dhe ka qenë i pranishëm në mbrëmjen “Gala”, teksa në telefonin e tij ende nuk ka ardhur mesazhi apo thirrja që ai po pret, edhe pse për “Top Channel”, sigurisht, preferon që të driblojë me klas dhe batutë: “Sa i përket të ardhmes, shpresoj të drejtoj Realin e Madridit”, tha ai duke qeshur, para mikrofonit të “Top Channel” ndërsa vlerësoi këtë vit që mbyllet si një prej atyre që mund të shihen si me dy fytyra. Ky ka qenë një vit me dy fytyra. Në mesin e tij vendosa të ndërpres marrëdhënien me kombëtaren shqiptare dhe më pas kisha një dëshirë të madhe të kthehesha në kampionatin spanjoll.
Nuk m’u dha koha që të punoja ashtu si unë di të punoj dhe pas dy muajsh gjithçka përfundoi, por më mirë kështu. Në jetë ndodh edhe kështu, e mora shkarkimin me shumë qetësi dhe jam në pritje të bëj diçka më të rëndësishme”, vijoi ai, duke u ndalur te Kristian Panuçi dhe ajo që mund të sjellë ai te kombëtarja:
“Mendoj që Panuçi i ka mundësitë dhe eksperiencën për të bërë gjëra të mira me këtë kombëtare. i kam parë të gjitha ndeshjet e kombëtares dhe më kanë pëlqyer shumë, sidomos ndeshja me Turqinë. Mund të them se disa lojtarë kanë pasur rritje të dukshme dhe ajo që ka rëndësi është vazhdimësia. Për pjesën tjetër unë nuk futem asnjëherë në punët e të tjerëve, nëse do të duhet ndonjë ndihmë jam gati ta jap”, deklaroi De Biazi.