Danimarka feston, sa e pafat Peruja!

Në futboll fati ndihmon me të fortin, thuhet, por nga ana tjetër ekziston edhe shprehja që fati është i verbër.

Sot Danimarka fitoi 1-0 ndaj Perusë, por i duhet të falënderojë fatin dhe një Peru të paaftë të shënojë, edhe kur fiton penallti.

Një ndeshje ku danezët niseshin lehtësisht favoritë, por realisht loja ishte për barazim, e pakta.

Peruja luajti me guxim, sulmoi, krijoi edhe raste, duke qenë shumë pranë golit në shumë raste. Kurva gjuajti mbi traversë penalltinë që fitoi vetë me fund të pjesës së parë dhe moralisht ishte goditje datave.

Eriksen tregoi pse është ylli i madh danez sepse krijoi golin e shënuar nga Poulsen, ndërsa më pas Shmajkël ishte perfekt në portë dhe Peruja nuk e pati fatin asnjëherë në favor, edhe pse e gjuajti 17 herë portën kundërshtare.

PERU – DANIMARKË 0-1

Shënues: Poulsen 58′

84′ Këmbëngul Peruja, sërish pranë golit, por Farfán nga një pozicion i mirë gjuan dobët dhe pret Shmajkël.

78′ Fati sot nuk është me Perunë. Kurva pason bukur për Guerreron, ky i fundit me shpinë nga porta godet me thembër, por jashtë, me Shmajkël të mundur.

62′ Kasper Shmajkël i mohon golin Perusë, pas gjuajtjes së Edison Flores. Një minutë më vonë ky i fundit zëvendësohet nga kapiteni Paolo Guerrero.

58′ GOL DANIMARKA! Kishte nisur krejt ndryshe pjesa e dytë, me Danimarkën shumë më mirë se në pjesën e patë. Me siguri penalltia e humbur demoralizoi Perunë. Kundërsulm perfekt danez, Eriksen kombinon bukur me sulmuesin e RB Lajpcig Jusuf Poulsen dhe ky i fundit nga një pozicion i prirët shënon.

44′ PENALLTI ME VAR PËR PERUNË! Kueva rrëzohet në zonë, pas shumë sekondash ndërhyn arbitri VAR dhe penallti! Vetë Kueva godet mbi traversë, shumë keq.

41′ Rrezikon sërish Danimarka, sërish nga distanca provon Delanej dhe Poulsen nuk devijon dot në poetë.

39′ Goditje dënimi në një pozicion të shkëlqyer për Eriksen, por topi godet barrikadën. Tenton edhe Shëne nga distanca, por pret portieri peruan.

31′ Peruja rrezikon, Farfán futet në zonë dhe gjuan fort, por Kjaer devijon në këndore.

12′ E nis mirë Peruja, që po luan me qartë dhe afrohet rrezikshëm me zonën kundërshtare. Karijo është i pari që teston Shmajkël, me një të majtë të fuqishme, që grushtohet nga portieri danez. Danimarka ende në pritje.

 

1′ Nis sfida, fituesi bashkohet me Francën në krye të grupit C.

Peruja e Danimarka përballen për herë të parë në historinë e vet. Peruja kthehet pas 36 vitesh në Kupën e Botës, ndërsa në Meksikë ’70 mbërriti deri në çerekfinale.

Danimarka merr pjesë për herë të pestë në Kupën e Botës, ku e ka kaluar tre herë fazën e grupeve. Është Danimarka e Kristian Eriksenit, sepse mesfushori i Totenhemit është lideri i vërtetë dhe lojtari i vetëm i klasit të lartë te danezët, aq sa shënoi 11 gola në kualifikuese, ndonëse është mesfushor.

Për trajnerin e danezëve Hareide është turneu i parë madhor si trajner dhe shpreson ta kualifikojë Danimarkën deri në 1/8-at, si Johanson në 1998. Botërori i parë edhe për Garekën e Perusë.

Është sfidë delikate, kush fiton i afrohet shumë kualifikimit, duke parë që Australia duket inferiore në grupin C dhe Franca është favorite e madhe.

Peru: Gallese, Advíncula, Ramos, Rodríguez, Trauco, Yotún, Tapia, Flores, Cueva, Carrillo, Farfán.

Danimarkë: Schmeichel, Dalsgaard, Kjaer, Christensen, Larsen, Kvist, Delaney, Sisto, Eriksen, Poulsen, Jorgensen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *