Elseid Hysaj do të jetë pjesë e Milanit duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Paraqitjet e fundit të mbrojtësit shkodran me Shqipërinë, veçanërisht ajo ndaj Anglisë, kanë bindur edhe më tepër në aftësitë dhe potencialin që zotëron ky lojtar. Ndërkohë eksperti i njohur i merkatos në Itali, Alfredo Pedulla, e ka bërë thuajse zyrtare kalimin e Hysajt te Milani. Kuqezinjtë nuk do të blejnë kartonin e Dalot nga Manchester United pasi e cilësojnë si të tepruar çmimin e tij prej 20 milionë eurosh.
Për këtë arsye do të marrin Hysajn pasi shkodrani e mbyll kontratën me Napolin dhe të vijë me parametra zero. Por kjo marrëveshje do të zyrtarizohet në momentin që Milani do të jetë pjesë e “Champions League”. “Kanë mbetur vetëm disa detaje për mbylljen e marrëveshjes. Kërkesa e mbrojtësit shqiptar ishte 3 milionë euro në sezon, por mund të mbyllet edhe me 2.5 milion plus bonuse. Milani preferoi një goditje të besueshme me parametër zero duke e konsideruar të tepërt kërkesën e Dalot. Koha parashikon vullnetin që gjithçka të jetë mbyllur me pjesëmarrjen në Champions League, por nuk përjashtohet mundësia e një kohe më të shkurtër”, shkruan Pedulla. /Sport Ekspres/